18 June 2014

Territori dhe themeli për ringjalljen e shtetit

Haki Kola/Specialist

Dhjetëvjeçarët e fundit, toka shqiptare e ka dhënë sinjalin SOS. Pylli është prerë e riprerë, djegur e ridjegur, kullotur e mbikullotur, derisa në shumë vende i është zbuluar shkëmbi. Rrafshinat, kodrat e ujëmbledhësit i ka mbuluar betoni. Ky realitet nuk është pranuar nga institucionet shtetërore. Pyllprerësit  njëvjeçarë sapo janë dekoruar, duke marrë mandate 10 vjeçare për prerje. Institucione të shtetit, me ekspertë e dijetarë të mjedisit, natyrës, pyllit, kullotës e librave, që nuk u tregojnë taksa paguesve të tyre se sa pjesë e vendit digjet, përmbytet, pritet, gërmohet e betonizohet, se sa pyll e tokë humbet, nga frika se i mbetet hatri padronit, duket se janë prodhuar e punësuar me bollëk. Ata flasin e bëjnë libra për ekosistemin e përbërësit e tij, por nuk tregojnë as për hallet e tokës e as për shërimin e saj. Toka është organizëm. Pjesët e saj, ashtu si gjymtyrët e organizmit tonë, janë të ndërlidhura me njëra - tjetrën. Komunitetet rurale kanë bërë rrugë të gjatë, si pjesë e këtij ekosistemi. Ata trashëgojnë, nga dijet e krijuara nga praktika jetësore e gjeneratave paraardhëse, njohuri mbi tokën ku organizojnë jetën, si në fermën bujqësore ashtu edhe kur i drejtohen krastës, djerrinës, ograjës, korijes, zabelit, hamallës apo prozhmes e kashnjetit, pyllit e kullotës. Këto dije shumë herë nuk pranohen nga ekspertët e institucioneve e nuk përdoren kur hartohen politika e ligje për raportet e komunitetit me tokën. Nëse skuadra që përgatitet të marrë nën menaxhim vendin, do e marrë në konsideratë thirrjen SOS të tokës, indikatori i parë duhet të ishte që të pranonte problematikën, të konsultohej me organizma ndërkombëtare e bashke me ta të ndërtonte një strategji kujdesimi për tokën tonë, asetin pothuaj përjetësisht të braktisur.



Ky do të ishte indikacion i fillimit të ndryshimit të institucioneve, si dhe të hapjes së rrugës për zgjidhje. Një etikë për tokën do te reflektohej më pas si sinjal që koshienca ekologjike e shtetit tonë po zgjohet dhe po e njeh dhe delegon te  komuniteti ku e ka vendin, kujdesin dhe përgjegjësinë për kurimin e mëmëdheut. Toka pyjore vlerësohet nga shkencëtarët si thesar biologjik e ekologjik dhe, njëkohësisht, si mister dhe enigmë, në të cilën shkenca deri tani ka zbuluar një fraksion gati të pakonsiderueshëm. Bakteret e kërpudhat,  që e popullojnë, të padukshme për syrin e njeriut, janë motori i tokës normale pyjore dhe i duhen tokës aq sa i duhet pyllit prania e drurëve për të mbajtur emrin pyll. Si trup i gjallë, ajo komunikon, jep e merr, shëndoshet e dobësohet, përjeton lindjen, sëmundjen, deri dhe vdekjen, në varësi të rrethanave të vendndodhjes  e  trajtimit  që  i nënshtrohet.    Shëndetësimi përbën pikërisht trajtimin apo regjimin që i duhet tokës sonë për të filluar ripërtëritjen apo rilindjen e shtresës së saj të sipërme, mbulesës së saj të gjallë e  pjellore, që është prerë,djegur e sakatosur barbarisht, veçanërisht 20 vitet që lidhin fund-fillimin e shekujve. Ajo nuk ka bimë, e ka humbur humusin, nuk e mban dot veten e as nuk i ruan dot nga mbushja rezervuarët e hidrocentraleve, rrugët, kanalet e tokën bujqësore të rrafshinës. Nga ushqyese e strehuese, ashtu siç është katandisur, në rrethana të ndryshme të motit shndërrohet në përmbytëse e kërcënuese. Edhe kjo na u desh në këtë rrënim ekonomik, po sa është kostoja e ringjalljes do pyesë dikush?


Askush nuk ka pse të trembet e ta heqë nga prioritetet e para. Nuk ka vend për panik. Toka është e bekuar. Ajo kontribuon edhe kur është në kurim. Punëson njerëzit. Rrit bimë. Strehon kafshë. Pastron e freskon ajrin. Shton ujin. Nëse bazohet në strategji e projekt  të  mençur,  puna  për kujdesim e kurim të tokës, nga banorët lokalë, konsiderohet si shërbim  global  mjedisor  dhe shpërblehet. Angazhimi dhe dhënia e kësaj përgjegjësie për të realizuar shërbime mjedisore kuruese, do të ishte sinjali i parë i shpresës se dashuria për token do të rilindë. Kjo duket si fjalë e çuditshme, nëse do u  referohej mediave të krye- qytetit apo mentalitetit sundues të administratës e burokracisë shtetërore. Qëndrimi pothuaj shekullor dëshmon që dashuria, respekti, admirimi për tokën e vlerat e saj, janë terma të panjohur. Ndoshta pengesa më serioze për të evoluar në etikën dhe respektin për tokën vjen nga fakti që sistemi ynë edukativ dhe  ekonomik  i deri- tanishëm është orientuar për nga largimi, mohimi i traditave shekullorë të popullit si “të prapa- mbetura”, orientim për braktisjen e  tokës  e  të  dashuruarit  me imazhin. Praktika e ruajtjes duhet gjetur e duhet marrë tek bindja se çfarë është e rregullt nga pikë- pamja estetike e etike dhe çfarë është   për   mbarë   nga   ana ekonomike. Një gjë është e rregullt, vetëm kur tenton të ruajë integritetin, stabilitetin dhe bukurinë e ekosistemit. Ekosistemi përfaqëson si tokën edhe ajrin, ujërat, faunën e florën, peizazhin, por edhe vetë komunitetin njerëzor. Vetëm kështu do të fillojmë të ndërgjegjësohemi:    ideja    e përdorimit të arsyeshëm human, është e pranueshme dhe shpërblehet, qoftë edhe vetëm për aq sa  nuk  u  shkatërron  kushtet jetësore  banoreve apo organizmave të tjera të tokës.


E përkthyer në gjuhën e teorisë së ekonomisë, vete ekosistemi me përbërësit e tij mund të përshkruhen si kapital, i cili sjell një pako të shërbimeve për komunitetin e familjet përbërëse, disa prej të cilave janë të ndara dhe të  inkorporuara  në  produkte, grumbulluar dhe / ose të konsumuara. Shërbime të tjera publike janë mallrat apo shërbime që japin përfitim të përbashkët në mjedisin e përmirësuar dhe mirëqenien e komunitetit. Të gjitha së bashku, këto shërbime mjedisore varen nga aftësitë ripërtëritëse aktuale të kapitalit të ekosistemit, rezultateve qe arrihen në shtimin e këtij kapitali, në raport me konsumin e shërbimeve të ekosistemit. Partnerët tanë ndërkombëtarë, si  Banka  Botërore, Agjencia Suedeze për Zhvillim Ndërkombëtar, po e asistojnë Shqipërinë në identifikimin dhe zbatimin e një projekti,  i  cili  do  të  bazohet pikërisht në pagesat për shërbime mjedisore, apo thënë me fjalë të tjera, për të krijuar modelin se si duhen organizuar e mbështetur kujdestarët e ngjalljes së tokës e të mbulesës së saj. Suksesi i këtij projekti  tepër  strategjik  për ringjalljen e tokës, varet së tepërmi se si do të ndërtohet kuadri politik e ligjor për të drejtat që do kenë komunitet për tokat. Harmonizimi i politikave mbështetëse, si dhe definimi i saktë i të drejtave e detyrimeve të përdorimit apo të pronësisë, janë guri i themelit.


Çdo progres e sukses i mundëson projektit shtrirjen e mëtejshme territoriale,  shtimin  e  pjesë- marrësve  (punësim) dhe kontribuesve në këtë projekt. Suksesi mundëson shtim të kontributit të donatoreve ndërkombëtarë, të cilët janë në ethet e gjetjes së një modeli të trajtimit të  ekosistemit,  për  të përballuar  sfidat  e  afërta  të ndryshimeve klimatike. Relievi, raportet fushë - kodër - mal dhe statusi aktual i tokës e veshjes së saj, si dhe potencialit për ndryshim shumë të shpejtë në Shqipëri, përbëjnë  një  shans  të  papërsëritshëm demonstrimi. Shqipëria mund te paguhet për kontribut për ruajtje  të  tokës,  detit,  ujit, kontribut në pakësim të gazit karbonik në natyrë  e  shtim të biodiversitetit. Demonstrimi i suksesit i hap rrugë shtimit të ekoturizimit. Përfaqësues   të skuadrës në pritje për menaxhim të  shtetit  shqiptar,  mund  të organizojnë diskutime paraprake për këtë projekt, që është në zhvillim. Kjo i mundëson kësaj skuadre  të  shpresës,  që  këtë problem shumë të madh kombëtar, ta kthejë nga problem në zgjidhje, në  një  burim  punësimi  e  të ardhurash, që vijnë nga ringjallja e tokës shqiptare.


16 June 2014

Kam frikë për Lurën

Ferdin Licaj

Lura me liqenet e saj ka zënë vënd në mëndjen dhe në shpirtin e çdo shqiptari të zakonshëm. Në fakt shumë pak  syresh e kanë parë ose vizituar ‘live’ këtë vënd magjepsës, përfshirë edhe  mua.  Dikur, kur ky mal i bukur u shpall park natyror kombëtar, Lurën e shikonim me ëndje dhe kënaqësi të veçantë nëpërmjet kartolinave që shkëmbenim gjatë periudhave të shëkmbimit të viteve; e shikonim gjithashtu në të vetmin ekran të TVSh-së i cili në ditë të caktuara të javës shfaqte foto të marra nga liqenet e Lurës. Edhe sot e kësaj dite në përfytyrimet e mia liqenet e Lurës janë një mit i vërtetë i bukurisë së larmishme të natyrës shqiptare...


Por çfarë ka ndodhur me lurën dhe me liqenet e saj vezullonjës?  Druaj të përgjigjem  sepse ndokush që mund ti lexojë lëta rreshta do të nxitojë të thotë: “ E dimë se ç’ka ndodhur, këtë deshe të na thoshje ti?”. ..  “- Ok, ok, nxitoj ti kundërpërgjigjem unë koktulit imagjinar, por të lutem më lejo ta shpreh unë, me fjalët e mia, sepse nuk besoj aspak që shumica e njerëzve të genit tim të dinë ç’ka ngjarë mirëfilli në shfarrosjen e pyjeve, në tharjen e liqeneve, në arratisjen e kafshëve e të zogjëve, në vdekjen e luleve e të insekteve dhe në shplarjen e tokave...në gjithçka që shkaktoi ‘hiroshima’ e tranzicionit të poshtër shqiptar në këtë tokë të bukur të atdheut tonë të përbashkët që quhet Shqipëri...




“Po mirë – vazhdon koktuli – e çë pastaj? - Do mbijnë prapë pyjet”... “- Dëgjo i dashur vëlla! – i drejtohem koktulit imagjinar plot neveri të shoqëruar me një buzëqeshje të verdhë – Dëgjo pak të lutem!... Koktuli zgudullon sytë duke përplasur qepallat si një trap klasik pastaj më ngul vështrimin e tij të stepur prej idioti.  “ Dëgjo vëlla! –i  them i sforcuar përsëri  - Ata pyje nuk mund të rimbijnë përsëri sepse pasi u prenë krejtësisht, nga shqipfolësit  e asaj periudhe u dogj gjithçka që ngeli në këmbë duke shpërndarë benzinë anë e mbanë malit dhe duke ndezur shkrepse gjithandej; pra  na ishte një herë një vënd  i bukur në të cilin vetë Zoti kishte qëndisur me dorën e Tij Supreme gjithçka që shihte syri i të vdekshmit njeri, një vënd plot stolira drurësh, lulesh, liqenesh, kafshësh të gjithfarëshme, zogjsh, insektesh, një vënd i cili quhej LURË... Koktuli rrotulloi sytë, fytyra e tij u vrazhdësua, tendosi dorën dhe e shtriu drejt meje si një tabelë polici dhe më thotë: “- Pse  po tani sipas teje nuk është më Lura?”...E kuptova që koktuli s’kuptonte gjë sepse si mijëra të ngjajshmit e tij ai nuk ishte në këtë dynja; për një sekondë më erdhi keq për të por pastaj përsëri më pushtoi neveritja karshi fytyrës së tij dhe medemek i them: “ Sot na është një vënd i djegur  i shkrumbosur, e i zhveshur ku syri nuk të sheh asnjë zog, në të cilin veshi nuk të dëgjon asnjë dihatje apo klithmë të ndonjë kafshe apo shpendi, ku toka ka humbur ngjyrën e blertë të tapetit barishtor dhe ka marrë atë të dheut të kuqërremtë mbushur plot rrëpira, ku liqenet janë kthyer në pellgaçe ujëmbajtëse; një vënd të cilin nuk e lidh asgjë me hiret e dikurshëm  magjiplote, pra na është një vënd i cili mban vetëm emrin Lurë por që vazhdon të qëndrojë në përfytyrimet imagjinare të atyre që e deshën me gjithë shpirt ndonëse nuk arritën asnjëherë ta vizitonin...


Një lajm i mirë por pak i besueshëm bëri ballë në rrjetin virtual të facebookut para pesë ditëve:  “Lura do të ri-pyllëzohet ashtu si ç’ka qënë dikur”, pra do të rikthehet në identitetin e mëparshëm. Këtë lajm e jep zëdhënësi i Ministrisë së Mjedisit, Pyjeve dhe Administrimit të Ujërave në Tiranë.

Ok, e lexoj me vëmëndje njoftimin zyrtar të MMPAU i cili theksonte se për këtë qëllim “ Janë vënë në dispozicion  një milionë Euro të cilat do të shërbejnë për pyllëzimin e treqind ha sipërfaqe të parkut kombëtar me llojet Arni, Hartinë dhe Pishë e Zezë.  Menjëherë në kokë më vërshojnë pyetjet: “Kush e ka bërë këtë projekt dhe si është e mundur që nuk është dhënë asnjë informacion publik paraprak për këtë qëllim?...Ok, sepse dihet tashmë çështja e tenderave te ne në përgjithësi dhe veçanërisht te MMPAU...por ajo që më frigon mua është dyshimi im në se ‘projekti misterioz’ i këtij institucioni  është bazuar ose jo në ndonjë studim paraprak mbi strukturën drunore të grumbujve pyjorë të parkut kombëtar të Lurës si dhe mbi skemat e përhapjes spontane të tyre  brënda  hapsirës së projektuar?...Në këtë park dihet historikisht cilët kanë qënë llojet mbizotërues dhe vëndin e parë e ka zënë arneni (Pinus peuce), pastaj hartina (Pinus sylvestris) dhe  në radhë të tretë pisha e zezë (Pinus nigra)... Po për llojet e tjerë fletorë që kanë marrë pjesë në grumbujt pyjorë të parkut a do të këtë hapsirë për tu pyllëzuar sipas skemave spontane të dikurshme?  Nga të dhënat që posedojmë për arkun le të citojmë panjën e malit (Acer pseudoplatanus), frashërin e zi (Fraxinus excelsior); blirin fletvogël (Tilia cordata); blirin fletgjërë (Tilia platyphyllois); ajdesin e alpeve (Laburnum alpinum); vadhjen e egër (Sorbus aucuparia) etj....Së fundi më lejoni të  bëj një pyetje retorike: “Kush do ta monitorojë ecurinë dhe zbatimin e përpiktë të projektit madhor që synon rimëkëmbjen e parkut të famshëm? “  Apo ndoshta  do të përflasim përsëri ashtu si ç’kemi përfolur edhe më parë për  afera korruptive edhe në këtë rast? ...Nuk e di por për Lurën kam frikë...

03 June 2014

Qeset qe nuk na ndahen

Rita Strakosha


Në vitin 2012 u aprovua një  VKM, tashmë e harruar, mbi amballazhet. Për të kujtuar lexuesit dhe ata që e kanë aprovuar, kjo është VKM nr. 177 “Për amballazhet dhe mbetjet e tyre”. Sipas kësaj VKM-je nga 1 janar 2013 do të ndalohej përdorimi, importimi dhe prodhimi i qeseve të pabiodegradueshme. Në treg do të përdoreshin vetëm qeset e biodegradueshme, të cilat do të kishin dhe një shenjë dalluese. Nuk kam parë ende një qese të vetme me shenjën e biodegradimit mbi të. Kjo VKM vdiq pa lindur ende. Por një efekt anësor e ka pasur: qeveria pas aprovimit e fjeti mendjen se problemi i qeseve, të paktën në letra, u  zgjidh.

Pengesa kryesore në zbatimin e VKM-së, sipas burimeve në industrinë e plastikës, është çmimi i lartë i qeseve të biodegradueshme. Këto shqetësime atëherë me sa duket qeveria nuk i mori parasysh, dhe vazhdoi me aprovimin e VKM-së. Industria po ashtu nuk i mori parasysh shqetësimet e qeverisë dhe vazhdoi me prodhimin dhe shitjen e qeseve te pabiodregadueshme. Si mund të zgjidhet ky problem mjedisor, në dukje banal, por po aq kokëfortë, i qeseve?

Qeveria së pari duhet të pranojë se VKM-ja nuk po zbatohet, ndoshta për arësye të mirë, dhe të rishikojë përmirësimin e saj duke pasur parasysh kostot e zbatimit. Mjet tjetër, që mund të përdoret për pakësimin e qeseve plastike në qarkullim, është akciza. Aktualisht ka akcizë mbi qeset plastike, por tepër e ulët për të krijuar një çmim të dukshëm mbi qeset. Në kuvendimin mjedisor të organizuar nga "Zyra Qytetare per Mjedisin"  përpara zgjedhjeve të përgjithshme të 2013, Qendra “Grupimi Ekolëvizja” propozoi rritjen e akcizës mbi qeset plastike. Në vijim të kuvendimit, një kontratë e gjelbër u firmos nga LSI-ja me kërkesat e shoqatave mjedisore, të ngritura në kuvendimin mjedisor. Në pikën 26 të kontratës së gjelbër kërkohet vendosja e një takse prej 10 lekësh të reja mbi çdo qese plastike. LSI-ja është parti në maxhorancë tashmë dhe ka mundësitë ti ligjërojë premtimet elektorale. Rritja e akcizës mbi qeset është një nga këto.

Pakësimin e përdorimit të qeseve do e lehtësonte adaptimi i tregut dhe shoqërisë ndaj trastave prej cope. Në çdo market e pikë shitjeje nuk ka mundësi blerjeje të fruta-perimeve veçse me qese. Frutat dhe perimet fillimisht peshohen në qese, në peshore elektronike, pastaj merren nga konsumatori. Përpara viteve 90 pikat e shitjes së fruta-perimeve kishin enë të posaçme ku këto peshoheshin. Konsumatorët përdornin rrjeta të ripërdorshme. Kështu nuk kishte nevojë fare për qese plastike. Sot këto enë nuk përdoren fare në pikat e fruta-perimeve. Ti kërkosh dyqanxhiut të mos të të japë qese, ky i fundit të shikon i habitur, dhe në shumë raste ta ngec qesen edhe pa dëshirë. “Kaq koprace qenka, sa do kursejë qesen”-mendon ai me vete. Kurse mjedisores i vjen zor ti thotë, se nuk do të ndotë mjedisin me atë qese, dhe me qindra të tjera që do vijnë pas saj.


Fusha tjetër ku përdorimi i qeseve është pothuaj i pazëvendësueshëm është grumbullimi i mbeturinave shtëpiake. Gjithsesi, me dëshirën e mirë, edhe mbeturinat shtëpiake mund të grumbullohen në koshin e shtëpisë e të derdhen direkte në vendgrumbullimin publik, pa qenë nevoja e përdorimit të qeseve plastike.

Një përdorim i tretë i qeseve plastike, ku këto me vështirësi zëvendësohen, është ruajtja e ushqimeve në temperatura shumë të ulëta. Ngrirja pothuaj gjithmonë realizohet duke i paketuar ushqimet në qese. Heqja e ushqimeve nga ngrirja kështu realizohet me lehtësi. Edhe këtu qesja mund të zëvendësohet me enë.


Megjithë dëshirën e mirë për pakësimin e përdorimit të qeseve, VKM-ve dhe projekteve mjedisore, qeset vazhdojnë të jenë kokëforta, kurse ne duhet të sjellim risi në arsenalin tonë kundër tyre.

30 May 2014

“Blinaja” Ekosistemi i bashkejetesës së florës e faunës, rezervati më i madh shqiptar i gjahut

Kemajl Kadriu, ing.dip.Shef Divizioni për Infrastrukturë pyjore
Departamenti i Pylltarisë në MBPZHR


E vendosur mbi një reliev të valëzuar me kodrina e lugina përrallore, një sipërfaqe prej më se 2000 hektarë, Blinaja përbën një “ishull” ku lulëzon jeta e harmonia midis kafshëve të gjahut e drurëve më karakteristik të hapësirës shqiptare. Ata që dëshirojnë të shohin çfarë kanë ëndërruar për kaprollin, drerin e derrin e egër do i shohin në jetën e tyre të përditshme në njësinë e menaxhimit të Blinaja-s, në zemër të Kosovës. Kjo njësi menaxhimi shtrihet në pjesën perëndimore të ultësirës së Kosovës, në jug-perëndim të Prishtinës në largësi prej 32 km dhe ngrihet në lartësitë 600 – 850 m mbi nivelin e detit, në një rajon kodrinor të vendgjuetive. Sipas destinimit, është zonë gjuetie me rëndësi të veçantë,  e themeluar në vitin 1955 me vendim të organeve përgjegjëse të ish KSAK –së dhe rithemeluar  në shkurt të vitit 2009 me Vendim të Ministrit të MBPZHR-së.

Nga viti 1936 ekzistojnë dokumentet e para të planifikimit për këtë njësi menaxhimi. Në vitin 1956 është hartuar plani afatgjatë i menaxhimit për 10 vjet për pyjet dhe faunën e egër, për të vazhduar në  vitin 1974 me plane menaxhimi dhe hartimin e një dokumenti  “Studimi i zhvillimit dhe programi kompleks i menaxhimit me pyje”.  Gjithashtu ekzistojnë planet  e menaxhimt të hartuara për periudhat e viteve: 1986-1996, 1996-2006 dhe plani i menaxhimit të kafshëve të egra 2008-2018. Emërtimi i saj është realizuar në bazë të pjesëmarrjes të shtrirjes të llojit të drurit Bliri ( Tilia ssp.).
Bota e gjallë bimore e kësaj njësie menaxhimi përfaqësohet nga një numër i madh llojesh autoktone, si dhe nga fauna e egër. Vegjetacioni është i begatshëm dhe i llojllojshëm si rezultat i proçeseve historike evolutive dhe kushteve mjaft të përshtatshme gjeografike, orografike, klimatike, gjeologjike dhe pedologjike.



Karakterizohet me një terren të brezit kodrinor me thyerje mesatare dhe pa pjerrësi të theksuara. Hidrografia përbëhet nga prroska të vogla që gjatë verës thahen tërësisht. Janë të ndërtuara 30 penda ujëmbledhëse me qëllim të furnizimit me ujë gjatë gjithë kohës.
Kjo njësi menaxhuese ka një bazë strukturale që përbëhet nga shkëmbinj gëlqeror dhe serpentinave të strukturave të ndryshme. Bazën gjeologjike e përbejnë shkëmbinj që janë pjesë e silikateve acidike si; mikashisti, kuarcit, amfiboliti, muskoviti etj.

Njësia e menaxhimit “Blinaja” përfshihet nga klima kontinentale që në lartësitë larta mbidetare karakterizohet me vlera të theksuara të temperaturave ekstreme të ndikuara nga thyerja e terrenit dhe elementëve të klimës kontinentale. Temparatura mesatare  muajit më të thatë në korrik është 20.3 gradë celsius ndërsa e muajit më të ftohtë në janar -1.4 gradë celsius. Temperatura mesatare vjetore është 10.2 gradë celsius. Sasia e të reshurave është 600-900 mm/vit të cilat kryesisht bien gjatë shtënës së dimrit.

Njësia menaxhuese Blinaja kryesisht shtrihet në toka të kafenjta mesatarisht të thella mbi substrat gur – grill  duke mos përjashtuar prezencën e tipave të tjera të tokave si; tanker të hirta kafe, tanker të tipit mbi gurë, redzinë tipike mbi substrat gëlqeror, të kuqërremtë kafe etj.

Sipas planit të menaxhimit të  hartuar gjatë vitit 2013 janë nxjerrë të dhëna si më poshtë:
-          Sipërfaqja  e përgjithshme  ..................................................................................................... 2172 ha
-          Sipërfaqja pyjore ...................................................................................................................... 2027 ha
-          Vëllimi në këmbë ................................................................................................................ 332325 m3
-          Rritja vjetore.............................................................................................................................. 9737 m3
-          Vëllimi i rekomanduar i prerjes ............................................................................................ 2950 m3

Pjesa dërrmuese e sipërfaqes pyjore  (mbi 90%) janë pyje cungishte, ndërsa pjesa e mbetur e sipërfaqes janë pyje të lartë, livadhe, kullota, sipërfaqe ujore etj.
Pjesëmarrja e llojeve ne vëllimin e përgjithshëm në nivel të njësisë menaxhuese dominohet kryesisht nga dushqet, ku qarri ka pjesëmarrjen më të madhe 49%, bunga 33% e më pak shparthi me 6%, po ashtu lloje të tjera fletorësh si ahu, bliri etj. zënë rreth 11% dhe pjesën e mbetur e zë pisha e zezë. 

Kjo njësi menaxhimi ka një shpërndarje homogjene të klasave menaxhuese/KM, ku dominojnë kryesisht klasa menaxhuese të pyjeve të ulëta cungishte 4000 në afro 84% të sipërfaqes së përgjithshme të cilat janë të moshës së re. Pyjet e larta KM 1000 dhe 2000 nuk janë fare të përfaqësuara, ndërsa kulturat pyjore përfaqësohen 87.2 ha apo 3.2 %,  kurse shkurret KM 5000 janë prezentë në afro 22 % të sipërfaqes.
Në aspektin e rritjes vjetore, pjesën më të madhe e kanë pyjet cungishte të dominuara nga dushqet, të cilat zënë rreth 90% të rritjes totale vjetore (9033 m3/vit), kjo si rezultat edhe i pjesës dërrmuese të sipërfaqes që ato zënë.
Për periudhën 10 vjeçare sasia e prerjeve të planifikuara është 29,507 m3 vëllim drusor, kryesisht si dru zjarri dhe me sasi të vogël të drurit teknik të imët. Kjo sasi e prerjeve të planifikuara përfshin vlerën e 30% të rritjes vjetore, e cila paraqet vlerën minimale të prerjeve të nevojshme për menaxhim të qëndrueshëm të pyjeve me destinim të veçantë siç është rasti në Njësinë Menaxhuese të “ Blinajës”.

Raporti i trajtimeve të propozuara
Tipi i trajtimeve
Sip. e n/ngastrave ha
Sip. per trajtim
ha
Konversion
51.5
24.5
Pastrime/ Çlirime
14.2
9.1
Rrallime
1106.9
537.2
Prerje regjenerues njëmoshore
185.3
107.5
Prerje regjenerues shumëmoshare
22.1
8.9
Prerje sanitare
55.7
28.5
Total sipërfaqe për n/ngastra
1435.7
716

Në këtë njësi menaxhuese dominojnë trajtimet me rrallime të një sipërfaqe të përgjithshme 1106.9 ha ndërsa sipërfaqja e ngastrave që kërkohet ndërhyrje  me masa të ndryshme është rreth 1435.7 ha. Duke pasur parasysh urgjencën e trajtimit të sipërfaqes të n/ngastrave të planifikuara për trajtim, ekzistojnë 66 n/ngastra që kërkojnë trajtime urgjente në një sipërfaqe deri 716 ha, nga këto 537 ha rrallime dhe 107.5 ha prerje regjeneruese njëmoshore. Deri tek këto rezultate është arritur sipas propozimit dhe planifikimeve të rekomanduara nga grupet e inventarizimit në terren.
Duke u mbështetur në pozicionin gjeografik, kushteve gjeologjike, pedologjike, hidrologjike dhe karakteristikave të relievit dhe të klimës, Blinaja ofron kushte mjaft të përshtatshme për kultivimin e botës së egër shtazore, kryesisht të gjitarëve që kanë rëndësi të madhe për gjueti rekreative.



Llojet më prezentativë që kultivohen në njësinë menaxhuese të Blinaja-s, janë kaprolli (Capreolus capreolu)s, derri i egër (Sus strofa), dreri bri lopatë (Dama dama), derri i rëndomtë (Cervus elaphus). Përveç llojeve të kultivuara në këtë njësi menaxhimi mund të hasim lloje karnivore si ujku (Canis lupus), dhelpra (Canis vulpes), vjedulla (Meles meles), macja e egër (Felis silvestris), shpendët si shqiponja perandorake (Aquilla heliaca), shqiponja e maleve (Aquilla chrysaetos), thëllëza e gurëve (Alectoris graeca), petriti i pulave (Açepiter gentilis), etj.  Brenda vitit, gjatë stinëve të ndryshme, kohë pas kohe ndalojnë edhe shumë shpezë të tjera shtegtare. 



Kushtet natyrore mundësojnë kultivimin e kafshëve dhe shpezëve të egra për gjueti, që e bëjnë këtë njësi menaxhimi një lokacion të mirë për gjueti rekreative. Blinaja përfaqëson një lloj të mbyllur të vendgjuetisë, çka do thotë se nuk ka lëvizje të lirë të faunës së kultivuar dhe grabitqarëve natyror. Mungesa e grabitqarëve e bën gjuetinë si mjetin kryesor për të kontrolluar numrin e kafshëve apo ruajtjen e  ekuilibrit biologjik, duke mos lejuar shtimin e numrit të madh të kafshëve mbi ekuilibrin biologjik dhe mbi kushtet apo mundësitë premtuese për ushqim dhe me këtë ruajtjen e këtij ekosistemi.



14 May 2014

Pyjet ne Suedi

Rexhep Ndreu 

Të dhëna mbi politikat pyjore kombëtare të Suedisë, implemtimi, çertifikimi dhe planet e menaxhimit



Në vitin 1990, u rishikuan politikat pyjore kombëtare të Suedisë. Në përputhje me paktikën zakonore në Suedi, u krijua një komitet parlamentar për të kryer rishikimin, i përbërë nga një nivel i lartë ekspertize, të cilët përfaqësonin departamentet e qeverisë, tregtarët dhe industrinë, grupet kërkimore e të konservimit etj. Politika e re pyjore, e cila u vu në zbatim në vitin 1994, mbi të gjitha u ndikua nga dëshira për liberalizim më të madh në sektorin e biznesit dhe nevoja për vëmendje më të madhe ndaj çështjeve të konservimit në pylltari. Struktura e politikës u ndryshua nga një strukturë e karakterizuar nga imponimi i rregulloreve tek “liria është përgjegjësi” bazuar mbi menaxhimin sipas objektivave. U formuluan dy qëllime thelbësore me status të barabartë: një për prodhimin dhe një për mbrojtjen e biodiversitetit. Një parim që ndodhet në politikën e re është që tregut duhet t’i jepet më shumë hapësirë për produkte dhe shërbime të ndryshme pyjore. Prandaj, taksimi dhe subvencionimi në pylltari janë hequr. Përveç kësaj, politika dhe legjislacioni pyjor tani aplikohen në mënyrë të barartë për të gjithë pronarët e pyjeve. Rishikimi gjithashtu rezultoi në krijimin e më shumë rezervateve natyrorë nga qeveria, shumë prej të cilëve i janë bashkuar rrjetit Europian Natura 2000. Vitet e fundit, pylltaria është ndikuar gjithnjë e më shumë nga politikat mjedisore. Synimi kryesor i politikës është – në përputhje me marrëveshjet ndërkombëtare – që të sigurojë që zhvillimi është i qëndrueshëm. Parimi themelor i politikës mjedisore është integrimi sektorial, psh. çdo sektor i shoqërisë është përgjegjës për implikimet mjedisore të aktiviteteve në sektorin e tyre. Në vitin 2004, politika pyjore iu nënshtrua një rishikimi të mëtejshëm. Kjo rezultoi me një vendim parlametar që, në esencë ishte një vazhdimësi e politikës ekzistuese, por me një theks më të fortë mbi çështjet klimatike.


Implementimi
Agjensia Suedeze e Pyjeve (ASP) u themelua në vitin 2006, duke zëvendësuar kështu Bordet Pyjore të Qarqeve dhe Bordin Kombëtar të Pyjeve të mëparshme. Agjensia është autoriteti kryesor për pyjet dhe çështjet e lidhura me mjedisin dhe konservimin. Përveç rolit të saj në garantimin e respektimit të ligjeve dhe rregulloreve përkatëse, ASP gjithashtu siguron trajnime, këshillime dhe informacione mbi pylltarinë. Një tjetër detyrë është kryerja e studimeve e analizimeve për të indentifikuar stacione të vlefshëm konservimi dhe trashëgimie natyrore dhe të mbajë një regjistër për stacione të tillë.
 Agjensia Suedeze e Mbrojtjes së Mjedisit është agjensia kombëtare përgjegjëse për politikat e përgjithshme mjedisore, ndërsa agjensitë e tjera qeveritare kanë përgjegjësi specifike. Roli i agjensisë është të promovojë politika mjedisore dhe të veprojë si një agjent unifikues për çështjet mjedisore. Gjithashtu agjensia ka përgjegjësi kombëtare për krijimin e rezervateve natyrore. Kjo punë bëhet në koordinim me ASP. Të dyja agjensitë përdorin gjerësisht masa ligjore, si edhe edukimin, trajnimet, këshillimet dhe shërbimet e informacionit për të siguruar zbatimin e politikave pyjore kombëtare.
Kushtet kryesore të Aktit të Pyjeve aktual, i cili ka një kuadër më të gjerë se sa legjislacioni i mëparshëm për silvikulturën dhe menaxhimin e pyllit janë:
  Ripyllëzim i  detyrueshëm pas prerjeve përfundimtare;
§            Ndalim i shfrytëzimit të grumbujve të rinj;
§            Një detyrim mbi pronarët e pyjeve për të kryer kontroll parandalues ndaj insekteve dëmtues;
§            Regjime të veçanta menaxhimi  për pyjet fletorë dhe ata malorë;
§          Një detyrë e përgjithshme kujdesi për objektet apo stacionet me vlera natyrore, historike apo trashëgimore    në pyje.
  Të ardhurat neto nga pyjet taksohen – esencialisht në të njëjtën mënyrë ashtu si edhe për degët e tjera të   industrisë.
 Legjislacioni mbi matjet  e lëndës drusore, përcakton që matjet për trupat e sharrës, drurin e pastës dhe ashklat duhet të kryhen në përputhje me udhëzimet e ASP. Kjo siguron një bazë korrekte për pagesat.



Pylltaria ekonomike dhe efiçiente
Në ditët e sotme shfrytëzimi i pyjeve kryhet gjerësisht nga kontraktorë privatë, i cili është efiçent dhe tepër i mekanizuar. Këta kontraktorë përdorin makineritë e tyre dhe përbëjnë një element të rëndësishëm në Pylltarinë Suedeze. Megjithatë, në sipërmarrjet e pyjeve të familjes, pronarët shpesh i kryejnë vetë rigjenerimin dhe punime të tjera silvikulturore.
Duke qënë se shumica e makinerive pyjore janë të pajisura me kompjutera “on board” dhe sisteme të lëvizshme komunikimi, shfrytëzimi mund të drejtohet për të përmbushur nevojat dhe kërkesat aktuale të tregut. Edhe transportimi i afërt (secondary haulage), i cili bëhet me anë të rrugëve apo hekurudhave tashmë është një pjesë integrale e këtij sistemi. Me një qarkullim efiçent të drurit të këtillë, sasia e lëndës drusore të depozituar në shesh depozitimet apo në vend grumbullimet e përpunimit është reduktuar në mënyrë të ndjeshme. Trupat e sharrës dhe druri i pastës përbëjnë pjesën më të madhe të të ardhurave neto, por asortimentet për energji po rriten ekonomikisht. Interesi për llojet gjethegjëra është duke u rritur për dy arsye kryesore. Një është ajo që industria e përpunimit të drurit kërkon për më shumë lloje fletorë, dhe tjetra që shumë pronarë pyjesh po shohin për alternativa për pishën dhe hormoqin, pasi këto janë të ndjeshme ndaj rrëzimit nga erërat, siç është evidentuar edhe në stuhitë e forta të ndodhura kohëve të fundit në Suedi. Disa të adhura jodrusore nga pyjet të një rëndësie në rritje janë turizmi dhe energjia e erës.
Çertifikimi
Ekziston një nevojë në rritje për aktorët e tregut të lëndës drusore për të qënë në gjendje t’u ofrojnë klientëve të tyre garancinë e cilësisë së lartë të produkteve pyjore dhe informacion të detajuar mbi ndikimet mjedisore direkte dhe indirekte të produkteve të tyre. Një mënyrë me të cilën kjo është  bërë, është me anë të çertifikimit pyjor, i cili garanton që praktikat dhe produktet e kompanive të çertifikuara kanë përmbushur standartet specifike. Duke qënë eksportues të mëdhenj të lëndës drusore dhe produkteve me bazë drusore, sipërmarrjet suedeze kanë qënë në pararojë të skemave kombëtare dhe ndërkombëtare të çertifikimit për sektorin pyjor, si pjesë e përpjekjeve për të promovuar lëndën drusore si një lëndë e parë e qëndrueshme.
Planet e menaxhimit të pyjeve
Sipërmarrjet industriale pyjore tani përdorin planet e ekologjisë së peisazhit (landscape ecology plans), ndërsa sipërmarrjet familjare përdorin planete menaxhimit të pyjeve të gjelbër (green forest management plans) në të dy tipet e planeve, grumbujt pyjore klasifikohen sipas prodhimit dhe vlerave të konservimit.
Planifikimi i menaxhimit tradicional vullnetar në Suedi ka evoluar në një mjet efektiv për inkorporimin e masave të përgjithshme dhe të specializuara të konservimit në pylltarinë e përditshme; kjo mbulon objekte dhe stacione me vlera natyrore apo trashëgimore. Këto plane gjithashtu janë instrumente të rëndësishme për çertifikimin e pyjeve.
Të gjitha sipërmarrjet industriale pyjore të mëdha në ditët e sotme përdorin Planet ekologjike të peisazhit. Këto plane sigurojnë që çdo peisazh pyjor (zakonisht duke përbërë një sipërfaqe prej 30.000 – 40.000 ha) do të pëmbajë një proporcion të pranueshëm pyje të vjetër, pyje gjethegjerë etj. në terma afatgjatë. Planet janë hartuar me ndihmën e sistemeve të informacionit gjeografik të kompjuterizuara dhe shohin disa dekada përpara.
Shumica e pronarëve të pyjeve në Suedi kanë një plan menaxhimi të pyllit të tyre, i cili specifikon statusin aktual të pyllit dhe masat e propozuara për t’u kryer gjatë një periudhe 10 vjecare për të sigurar një përfitim të mirë financiar dhe për të ruajtur dhe promovuar biodiversitetin e pyllit.





06 May 2014

Ndotesit e Gjanices

Besmir Agalliu 


Rrethi i Fierit ofron dhe potenciale të rëndësishme natyrore për zhvillimin e tij. Në përgjithësi kemi te bëjmë me një rajon fushor me lartësi nga 0-100 m mbi nivelin e detit dhe me toka shumë pjellore. Edhe relievet kodrinore janë përgjithësisht të buta dhe të mundshme për shfrytëzim bujqësor.

Ne kuadrin e pasurive natyrore rëndësi të veçantë kanë pasuritë ujore, ku përveç detit Adriatik, rrethi përshkohet nga lumenjtë Seman, Vjosë e Gjanica. Semani - 281 km i gjatë formohet nga bashkimi i Devollit me Osumin në afërsi të Beratit. Siperfaqja e pellgut ujëmbledhës është 5949 km2, prurja mesatare vjetore e tij arrin në 96 m3/sek. Semani është ndër lumenjtë më eroziv, duke e bërë lumin me eroziv në vend. Vjosa - 272 km i gjatë buron nga malet e Pindit në Greqi. Sipërfaqja e pellgut ujëmbledhës është 6700 km2, ndërsa prurja mesatare vjetore e tij arrin 195 m3/sek. Gjanica - 67 km buron nga burimet e Poçemit e të Kalivaçit. Sipërfaqja e pellgut ujëmbledhës është 234 km2. Është një nga lumenjtë më të ndotur në vend, për shkak të derdhjes së naftës. Rrethi ka edhe disa liqene artificiale ku më i madhi e më i rendësishmi prej tyre është ai i Kurjanit me sipërfaqe 375 ha, ujërat e tij përdoren për ujitje. Bota natyrore bimore dhe shtazore e rrethit është transformuar nga veprimtaria e njeriut. Megjithatë rrethi i Fierit dallohet për disa lloje bimësh e kafshësh sidomos në pjesët bregdetare e fushore. Ndërsa në ujërat e detit gjenden shumë lloje peshqish si qefulli, levreku, koca etj.
Nëntoka është mjaft e pasur me lënde djegëse siç janë gazi natyror dhe nafta ku dallohet zona e Patos-Marinzës, e cila është dhe zona naftëmbajtëse më e madhe në Shqipëri. Gjithashtu nëntoka është e pasur edhe me materiale ndërtimi si zhavore, rërëra, argjila etj.

Pikerisht keto te fundit qe jane nje pasuri e mire per biznesin, jane dhe nje fatkeqesi e madhe per te. Abuzimi me to dhe shperfillja prej kaq vjetesh ke bere qe Fieri te vujae nga nje “KANCER” qe e pershkruan ate mes per mes mu ne qneder te qytetit. Rrethi I Fierit eshte nje nga rrathet me te dontura per nga lumenjte. Pasi fusha naftënxjerrëse Marinëz-Patos, Rafineria e Naftës Ballsh, AZOTIKU. Kane bere ndotjen e Gjanices dhe basenit lumor Seman duke shkaterruar floren dhe faunen. Ndotja eshte paraqitur edhe te ujerat nentokesore e siperfaqesor.



Duke kaluar mes qytetit të Fierit, përpara se të bashkohet me Semanin në të shkarkohen mbeturinat urbane, duke e bërë ujin e tij pa asnjë formë jete. Eshtë vlerësuar se çdo muaj në Gjanicë derdhen rreth 12'587-18’091 m3 mbeturina të lëngëshme me përmbajtje hidrokarburesh dhe vajra industriale (AKM/NEA, 1997-1998). Në këtë zonë, edhe vlera e BTEX (benzen, toluen, etil-benzen, ksilen) mund të jetë shumë e lartë. Krahas dëmit në florën dhe faunën natyrore ujore, përdorimi i ujit për vaditje dhe blegtori është me rrezik. 

 Ndotja qe bejne nga hedhja e naftes.





Sikur mos te mjaftonin keto gjera qe te shkaterronin Kete mrekulli qe ka fal ZOTI ketij qyteti kaq te madh dhe te mrekullushem, lenia mbas dore e pushtetit vendor dhe atij qendror per kaq vite ka sjelle dhe shume problematika te tjera. Shkarkimi i ujerave te zeza nga pallatet qe jane ngritur afer tij dhe lokaleve, jane nje shqetesim mjaft serioz.

C’do gje i eshte shkaterruar ketij lumi. Sa hyne ne qytet verejme qe jane bere me qindra palate dhe locale duke ja shkaterraur shtratin ketij lumi dhe duke cuar ne erosion ne vende vende. Prurjet e here pas here te medha kane bere qe te sjelle shkaterrime ne mas dhe ne deme te medha materiale.Mos patja e nje plani urbanistik ka bere qe te ngrihen mbi ted he afer tij me qindra locale dhe hotele, duke devijuar edhe rrjedhjen e tij.

 Si per ironi te fatit spitali i Fierit sikur mos te kishte vend hedhje per mbetjet spitalore ne vende te caktuara nga Ministria Shendetesise. Hedhin mbetjet spitalore pikerisht, duke sjelle nje ndotje edhe me te rrezikshme.

Gjendja e ketij lumi eshte e mjerishme. Qeverite asnje here nuk I kane kethyer syte nga kjo mrekulli. Vite me pare ishte nje parajse e vertete ku mund edhe te peshkoje tregojne me te mocmit.
Duhet nderhyrje urgjente per te parandaluar kete krim te madh. Fatkeqesisht edhe sot nuk eshte marre asgje parasysh. 

04 May 2014

14 vjet rrugetim me “Mjedisin SOT”…

Besnik Baka

Me nje lajm nga “Shekulli” mbi investimet e nevojshme dhe pastrimin e qytetit ne prag te sezonit te ri turistik, Mjedisi SOT nisi si sot, 14 vite me pare rrugetimin e tij si nje medium i nevojshem per te informuar audiencen mbi ngjarjet mjedisore ne vend, rajon dhe bote. Nder vite gjate tranzicionit, gazetaria mjedisore perfaqesohej nga artikuj e kronikat e rastesishme ne mediat e shkruara dhe elektronike. Ato pak lajme mjedisore, ne televizione humbnin ne morine e informacionit, ndersa neper gazeta ´ngjesheshin´ nepercepat e faqeve. Nevoja per nje ze te unifikuar e me te forte ne boten e informacionit mjedisor solli botimin e buletinit elektronik “Mjedisi SOT”, ku perfshihen lajmet dhe artikujt e perditshem ne fushen e mjedisit, botuar cdo dite ne median e shkruar apo ate elektronike, si dhe contribute te autoreve tendryshem ne kuader te revistes. Nje burim i lire, i vazhdueshem dhe i gjithanshem informacioni ne fushen e mjedisit, Mjedisi SOT nuk preket nga asnje axhende editoriale, pasi informacioni eshte pasqyrim transparent i autoreve te ndryshem ne median vendase e te huaj, pavaresisht pikepamjeve te tyre.


Po ne vitin 2000, pak muaj me vone, duke u ndergjegjesuar per rrjetin e gjere te bashkepunetoreve te saj dhe ekspertizen ne rritjen e fushave kyçe te mjedisit, REC ndjeu detyrimin per te kontribuar drejteperdrejte ne informimin publik, ndaj mundesoi botimin e revistes periodike me te njejtin titull. Fillimisht e perdyjavshme, e me tej si nje reviste e plote periodike, me artikuj e analiza, ne formen qe botohet edhe aktualisht. Pas 14 vitesh, jane qindra studiues dhe eksperte mjedisore, qe jane bere pjese e revistes, duke dhene kontributin me artikuj dhe analiza qe shpesh kane qene burim alternative informacioni per çeshtje te rendesishme.

Paçka sfidave dhe zhvillimeve te tranzicionit Mjedisi SOT asnjehere nuk pushoi se botuari e nuk ndaloi se foluri problematiken aktuale dhe informin e gjere ne fushen e mjedisit. Zhvillimi i ´Mjedisit Sot´, krahas mbeshtetjes qe Qendra Rajonale e Mjedisit ka dedikuar per ngritjen e nivelit te raportimit ne fushen e mjedisit ne vend nepermjet iniciativave te ndryshme, i dha nje nxitje lajmit mjedisor ne median e shkruar dhe ate elektronike.



Aktualisht buletini informativ i perditshem shperndahet ne rreth 4000 adresa elektronike, nderkohe qe revista periodike Mjedisi Sot ka nje tirazh prej 400 kopje, me mjaft visitore edhe ne faqen e saj online www.mjedisisot.info

Me zhvillimin dhe perhapjen e medias sociale, tashme Mjedisi SOT ka me shume se 2000 miq edhe ne facebook, ndersa blogu: http://mjedisisot.blogspot.com/   i dedikohet nje audience me te specializuar ne fushen e mjedisit, ku mund te gjeni shkrime nga ekspertet mjedisore per çeshtjet e dites.

Perveç te tjerave Mjedisi SOT, gezon nje arkive te gjere te te gjitha lajmeve dhe artikujve mjedisore ne 14 vitet e fundit te botuara ne median e shkruar dhe ate elektronike. Ky arkiv eshte i disponueshem per te gjithe gazetaret apo studiuesit. Trashegimia e lajmeve te Mjedisit SOT qe nis 14 vjet me pare, eshte nje reflektim per te kaluaren, por edhe nje perballje e ve rtete me te tashmen. Sepse ai lajm qe hapi Mjedisin Sot, 14 vjet me pare mbi nevojen e permiresimit te infrastruktures ne qytetin e Pogradecit mund te shkruhet edhe sot ne prag te çeljes se sezonit te ri turistik te vitit 2014…