Haki Kola/Specialist
Dhjetëvjeçarët e fundit, toka
shqiptare e ka dhënë sinjalin SOS. Pylli është prerë e riprerë, djegur e
ridjegur, kullotur e mbikullotur, derisa në shumë vende i është zbuluar shkëmbi.
Rrafshinat, kodrat e ujëmbledhësit i ka mbuluar betoni. Ky realitet nuk është
pranuar nga institucionet shtetërore. Pyllprerësit njëvjeçarë sapo janë
dekoruar, duke marrë mandate 10 vjeçare për prerje. Institucione të shtetit, me
ekspertë e dijetarë të mjedisit, natyrës, pyllit, kullotës e librave, që nuk u
tregojnë taksa paguesve të tyre se sa pjesë e vendit digjet, përmbytet, pritet,
gërmohet e betonizohet, se sa pyll e tokë humbet, nga frika se i mbetet hatri
padronit, duket se janë prodhuar e punësuar me bollëk. Ata flasin e bëjnë libra
për ekosistemin e përbërësit e tij, por nuk tregojnë as për hallet e tokës e as
për shërimin e saj. Toka është organizëm. Pjesët e saj, ashtu si gjymtyrët e
organizmit tonë, janë të ndërlidhura me njëra - tjetrën. Komunitetet rurale
kanë bërë rrugë të gjatë, si pjesë e këtij ekosistemi. Ata trashëgojnë, nga
dijet e krijuara nga praktika jetësore e gjeneratave paraardhëse, njohuri mbi
tokën ku organizojnë jetën, si në fermën bujqësore ashtu edhe kur i drejtohen krastës,
djerrinës, ograjës, korijes, zabelit, hamallës apo prozhmes e kashnjetit,
pyllit e kullotës. Këto dije shumë herë nuk pranohen nga ekspertët e
institucioneve e nuk përdoren kur hartohen politika e ligje për raportet e
komunitetit me tokën. Nëse skuadra që përgatitet të marrë nën menaxhim vendin,
do e marrë në konsideratë thirrjen SOS të tokës, indikatori i parë duhet të
ishte që të pranonte problematikën, të konsultohej me organizma ndërkombëtare e
bashke me ta të ndërtonte një strategji kujdesimi për tokën tonë, asetin
pothuaj përjetësisht të braktisur.
Ky do të ishte indikacion i fillimit
të ndryshimit të institucioneve, si dhe të hapjes së rrugës për zgjidhje. Një
etikë për tokën do te reflektohej më pas si sinjal që koshienca ekologjike e
shtetit tonë po zgjohet dhe po e njeh dhe delegon te komuniteti ku e ka
vendin, kujdesin dhe përgjegjësinë për kurimin e mëmëdheut. Toka pyjore
vlerësohet nga shkencëtarët si thesar biologjik e ekologjik dhe, njëkohësisht,
si mister dhe enigmë, në të cilën shkenca deri tani ka zbuluar një fraksion
gati të pakonsiderueshëm. Bakteret e kërpudhat, që e popullojnë, të
padukshme për syrin e njeriut, janë motori i tokës normale pyjore dhe i duhen
tokës aq sa i duhet pyllit prania e drurëve për të mbajtur emrin pyll. Si trup
i gjallë, ajo komunikon, jep e merr, shëndoshet e dobësohet, përjeton lindjen,
sëmundjen, deri dhe vdekjen, në varësi të rrethanave të vendndodhjes e
trajtimit që i nënshtrohet. Shëndetësimi përbën
pikërisht trajtimin apo regjimin që i duhet tokës sonë për të filluar
ripërtëritjen apo rilindjen e shtresës së saj të sipërme, mbulesës së saj të
gjallë e pjellore, që është prerë,djegur e sakatosur barbarisht,
veçanërisht 20 vitet që lidhin fund-fillimin e shekujve. Ajo nuk ka bimë, e ka
humbur humusin, nuk e mban dot veten e as nuk i ruan dot nga mbushja
rezervuarët e hidrocentraleve, rrugët, kanalet e tokën bujqësore të rrafshinës.
Nga ushqyese e strehuese, ashtu siç është katandisur, në rrethana të ndryshme
të motit shndërrohet në përmbytëse e kërcënuese. Edhe kjo na u desh në këtë
rrënim ekonomik, po sa është kostoja e ringjalljes do pyesë dikush?
Askush nuk ka pse të trembet e ta
heqë nga prioritetet e para. Nuk ka vend për panik. Toka është e bekuar. Ajo
kontribuon edhe kur është në kurim. Punëson njerëzit. Rrit bimë. Strehon
kafshë. Pastron e freskon ajrin. Shton ujin. Nëse bazohet në strategji e
projekt të mençur, puna për kujdesim e kurim të tokës,
nga banorët lokalë, konsiderohet si shërbim global mjedisor
dhe shpërblehet. Angazhimi dhe dhënia e kësaj përgjegjësie për të
realizuar shërbime mjedisore kuruese, do të ishte sinjali i parë i shpresës se
dashuria për token do të rilindë. Kjo duket si fjalë e çuditshme, nëse do u
referohej mediave të krye- qytetit apo mentalitetit sundues të
administratës e burokracisë shtetërore. Qëndrimi pothuaj shekullor dëshmon që
dashuria, respekti, admirimi për tokën e vlerat e saj, janë terma të panjohur.
Ndoshta pengesa më serioze për të evoluar në etikën dhe respektin për tokën
vjen nga fakti që sistemi ynë edukativ dhe ekonomik i deri-
tanishëm është orientuar për nga largimi, mohimi i traditave shekullorë të
popullit si “të prapa- mbetura”, orientim për braktisjen e tokës e
të dashuruarit me imazhin. Praktika e ruajtjes duhet gjetur e
duhet marrë tek bindja se çfarë është e rregullt nga pikë- pamja estetike e
etike dhe çfarë është për mbarë nga ana ekonomike.
Një gjë është e rregullt, vetëm kur tenton të ruajë integritetin, stabilitetin
dhe bukurinë e ekosistemit. Ekosistemi përfaqëson si tokën edhe ajrin, ujërat,
faunën e florën, peizazhin, por edhe vetë komunitetin njerëzor. Vetëm kështu do
të fillojmë të ndërgjegjësohemi: ideja e përdorimit
të arsyeshëm human, është e pranueshme dhe shpërblehet, qoftë edhe vetëm për aq
sa nuk u shkatërron kushtet jetësore banoreve apo
organizmave të tjera të tokës.
E përkthyer në gjuhën e teorisë së
ekonomisë, vete ekosistemi me përbërësit e tij mund të përshkruhen si kapital,
i cili sjell një pako të shërbimeve për komunitetin e familjet përbërëse, disa
prej të cilave janë të ndara dhe të inkorporuara në produkte,
grumbulluar dhe / ose të konsumuara. Shërbime të tjera publike janë mallrat apo
shërbime që japin përfitim të përbashkët në mjedisin e përmirësuar dhe mirëqenien
e komunitetit. Të gjitha së bashku, këto shërbime mjedisore varen nga aftësitë
ripërtëritëse aktuale të kapitalit të ekosistemit, rezultateve qe arrihen në
shtimin e këtij kapitali, në raport me konsumin e shërbimeve të ekosistemit.
Partnerët tanë ndërkombëtarë, si Banka Botërore, Agjencia Suedeze
për Zhvillim Ndërkombëtar, po e asistojnë Shqipërinë në identifikimin dhe
zbatimin e një projekti, i cili do të bazohet
pikërisht në pagesat për shërbime mjedisore, apo thënë me fjalë të tjera, për
të krijuar modelin se si duhen organizuar e mbështetur kujdestarët e ngjalljes
së tokës e të mbulesës së saj. Suksesi i këtij projekti tepër
strategjik për ringjalljen e tokës, varet së tepërmi se si do të
ndërtohet kuadri politik e ligjor për të drejtat që do kenë komunitet për
tokat. Harmonizimi i politikave mbështetëse, si dhe definimi i saktë i të
drejtave e detyrimeve të përdorimit apo të pronësisë, janë guri i themelit.
Çdo progres e sukses i mundëson
projektit shtrirjen e mëtejshme territoriale, shtimin e
pjesë- marrësve (punësim) dhe kontribuesve në këtë projekt. Suksesi
mundëson shtim të kontributit të donatoreve ndërkombëtarë, të cilët janë në
ethet e gjetjes së një modeli të trajtimit të ekosistemit, për
të përballuar sfidat e afërta të ndryshimeve
klimatike. Relievi, raportet fushë - kodër - mal dhe statusi aktual i tokës e
veshjes së saj, si dhe potencialit për ndryshim shumë të shpejtë në Shqipëri,
përbëjnë një shans të papërsëritshëm demonstrimi.
Shqipëria mund te paguhet për kontribut për ruajtje të tokës,
detit, ujit, kontribut në pakësim të gazit karbonik në natyrë
e shtim të biodiversitetit. Demonstrimi i suksesit i hap rrugë
shtimit të ekoturizimit. Përfaqësues të skuadrës në pritje për menaxhim
të shtetit shqiptar, mund të organizojnë diskutime
paraprake për këtë projekt, që është në zhvillim. Kjo i mundëson kësaj skuadre
të shpresës, që këtë problem shumë të madh kombëtar, ta
kthejë nga problem në zgjidhje, në një burim punësimi e
të ardhurash, që vijnë nga ringjallja e tokës shqiptare.
No comments:
Post a Comment