Endri Haxhiraj
Instituti i Politikave Mjedisore
Vetëm disa ditë pas zbulimit të vrasjes së fshehtë,
ku punëtorë të Bashkisë Tiranë flaknin trupat e qenve endacakë të vrarë me
injeksione në kosha publik të mbetjeve, këta të fundit kanë zënë qendrën e
vëmendjes së opinionit publik. Kjo u arrit në sajë të disa tubimeve të njëpasnjëshme
para Bashkisë së Tiranës me subjekt ndalimin e vrasjes së qenve.
Si në një pjesë të mirë të çështjeve mjedisore por
jo vetëm, kemi dy kampe. Një grup jo i vogël njerëzish që janë kundra vrasjes
dhe një grup po ashtu jo i vogël njerëzish “në kampin e vrasjes”.
Pavarësisht rrymës filozofike të secilit prej kampeve ka disa momente që duhen marrë në konsideratë:
Shoqëritë në
zhvillim sikurse e jona, kanë një përqasje drejt zgjidhjeve sa më afatshkurtra
dhe me efekt të menjëhershëm. Nëse objektivi i dytë arrihet, pra efekti i menjëhershëm,
zgjidhja përfundimtare duket gjithmonë e më larg të arrihet. Ne këtë kuptim, në një dokument te Organizatës Botërore të Shëndetësisë
citohet se: “Shpesh autoritetet të përballur me problemet që shkaktojnë qentë
endacakë, shkatërrojnë gjithshka me shpresën se do të gjejnë një zgjidhje të
shpejtë, shkatërrim që duhet të vazhdojë vit pas viti pa shenja të zgjidhjes”.
Tirana strehon rreth 5000 qen endacakë por numri i
saktë i tyre nuk dihet. Vrasja
e qenve “të lirë” thjesht do të krijojë më shumë territor për qentë e një zone
tjetër. Pra Tirana është qytet në zgjerim ndërkohë që qentë e ndodhur në zona
periferike/ rurale janë në kërkim të ushqimit drejt qendrave. Rrjedhimisht çdo
qen i vrarë zëvendësohet në pak kohë nga një qen tjetër. Por pse kjo nuk ndodh
p.sh në rastin e një zgjidhje afatgjatë sikurse është sterilizimi- vaksinimi-
rilëshimi. Qentë e rikthyer në rrugë parandalojnë ardhjen e qenve të rinj për
shkak të sjelljes territoriale të tyre. Gjithashtu mesatarja e jetesës së kafshëve
endacake është rreth 5 vjet.
Por çështja e vrasjes së qenve endacakë ka dhe
pasoja afatgjata: Fëmijët që rriten në ambiente ku ushtrohet dhunë/vrasje ndaj
kafshëve ka të ngjarë që në të ardhmen të kthehen në dhunues të kafshëve dhe
njerëzve sepse ata bëhen të pandjeshëm dhe e shohin dhunën si një gjë normale. Rrjedhimisht
ata mësohen ta shprehin fuqinë dhe kontrollin e tyre duke abuzuar me qënie më
të dobta.
Sot qarkullon edhe mendimi mbi prioritetet që që ngre
pyetjen se: pse duhet të merremi me kafshët ndërkohë që kemi shumë probleme të
tjera sociale. Duke qenë se kjo çështje ka të bëjë shumë edhe me statusin e dobët
të kafshëve dhe qenve në veçanti në shoqërinë tonë është e vështirë të kuptohet
lidhja e këtij problemi me dukuri të tjera sociale. Në fakt çështja e qenve
endacakë është një pararendëse apo pasqyrë e shumë problemeve të tjera.
Pandjeshmëria e shoqërisë ndaj zgjidhjes së duhur të kësaj çështjeje
reflektohet po aq qartë edhe për papunësinë, për njerëzit me aftësi te
kufizuar, për pensionistet dhe çdo njeri qe nuk ka mundësi te mbrohet apo është
në vështirësi. Ndërlidhja e kësaj çështje me të drejtat e njeriut është mesë
evidente. Kjo nuk do të thotë që të ketë detyrimisht trajtim të njëjtë ose që
interesat e kafshëve kanë të njëjtën peshë apo vlerë sikurse interesat thelbësore
të njeriut. Shumë interesa të kafshëve janë të ndryshme nga tonat!
Një pjesë e mirë e profesionistëve të mjekësisë si
humane edhe veterinare shprehen mbi potencialin e rrezikut shëndetësor që
shfaqin këto kafshë. Te jemi realist, askush nuk do të shoqërohej me një kafshë
potencialisht të rrezikshme. E rëndësishme në të gjithë këtë sfidë është
zbatimi i programeve afatgjata që nga eksperienca e vendeve të zhvilluara
garantojnë shëndetin dhe mirëqenien e njeriut dhe të kafshëve njëkohësisht.
Sikurse është përmendur, një prej zgjidhjeve që i përafrohet më shumë këtij
koncepti është sterilizimi- vaksinimi (plus kurimi i mundshëm) dhe rilëshimi.
Por si çdo proces tjetër duhet marrë në konsideratë që trajtimi do të jetë i qëndrueshëm. Është provuar se me sterilizimin e 70% të
popullatës së qenve gjendja në një territor të dhënë stabilizohet. Sterilizimi i qenve ka edhe disa avantazhe të tjera sikurse ulja e nivelit të infeksioneve zoonotike,
ruajtja e ekuilibrave mjedisore si dhe pakësimi i kafshimeve nga qentë. Nga ana tjetër shumë aktivistë përkujdesen po me aq pasion e vullnet për
kurimin e kafshëve me gjendje patologjike.
Shqipëria është një vend me zhvillim të vrullshëm dhe
pavarësisht sfidave, shpreh një aspiratë të veçantë për integrimin sa më të
shpejtë në Bashkimin Evropian. Për të përmbushur kërkesat ligjore edhe për
mbrojtjen e kafshëve, janë hartuar dhe
miratuar edhe legjislacioni përkatës i reflektuar pjesërisht në legjislacionin veterinar: Ligji, Nr. 10 465, i
vitit 2011-të, Për Shërbimin Veterinar në Republikën e Shqipërisë, i përafruar
me direktivat BE-së. Ky ligj parashikon se autoriteti vendor (bashkia në rastin
konkret) është e detyruar të mbajnë nën kontroll dhe të zbatojnë legjislacionin
në fuqi për eliminimin e qenve dhe maceve të rrugës; Ku Eliminimi i kafshëve kryhet në atë mënyrë
që të mos shkaktojë dhimbje dhe vuajtje të panevojshme dhe lejohet vetëm në
rastet për çrrënjosjen e sëmundjeve infektive/ zoonotike, kur njerëzit sulmohen
nga një kafshë e tërbuar/ agresive, dhe gjatë gjuetisë.
Megjithëse legjislacioni që është mbi çdo individ
dhe autoritet flet qartë për rastin konkret, ai nuk parashikon masa ndëshkuese
në rastin e thyerjes së ligjit. Në këtë kuptim tubimet e shoqërisë civile për
mbrojtjen e qenve endacakë ndjekin linjën ligjore dhe kërkojnë atë që
parashikon ligji. Në të njëjtën kohë po ky grupim njerëzish ofron edhe ndihmë
për përmirësimin e ligjit në aspektin e ndëshkueshmërisë.
Një dukuri risi për shoqërinë civile Shqiptare është
edhe ngritja dhe pjesëmarrja aktive e shoqatave për mbrojtjen e kafshëve. Ky
grupim aktiv edhe me hasjen e disa paragjykimeve që në fazën fillestare të
lëvizjes u tregua tepër i vullnetshëm për mbajtjen e tubimeve paqësore çka
është një vlerë e shtuar për shoqërinë civile Shqiptare. Ky sektor kaq i
ndjeshëm i shoqërisë edhe pse shumë pak i mbështetur financiarisht tregon mbi
potencialin që ka shoqëria jonë për të arritur shpejt përqasjet evropiane për
shumë probleme sociale.
Së fundmi, matematicieni grek Pitagora shprehej se:
Për aq kohe sa njeriu masakron kafshët, ata do të vrasin njeri-tjetrin. Në
fakt, kush është dëshmitar i vrasjes dhe vuajtjes nuk mund të korrë gëzim dhe
dashuri.
No comments:
Post a Comment