25 June 2014

Baseni Seman

Besmir Agalliu 

Shqipëria është vend malor me rreth 450 km vijë bregdetare dhe me rezerva të shumta ujore, si lumenj, liqene, ujëra nëntokësore, burime dhe ujëra bregdetare.
 Lumenjtë fillojnë si rrëke të vogla në shpatet e larta, të cilat mblidhen në përrenj, bashkohen në lumenj të vegjël, grumbullohen më poshtë në lumenj të gjerë, dhe këta të gjithë shkojnë dhe derdhen ne det.Lumenjtë mund të transportojnë, të vaditin kulturat tona bujqësore, mund të mbushin tubacionet e ujësjellsave, të venë në lëvizje turbinat, si dhe të furnizojnë fabrikat tona me ujë. Lumenjtë janë burim frymëzimi dhe çlodhje për njeriun. Ne kënaqemi kur lahemi, kur peshkojmë dhe lundrojmë në lumenj. Por për fat të keq, ne i kemi përdorur lumenjtë si kolektorë, për të mbledhur ujërat e zeza të vendbanimeve dhe shkarkimet industriale. Edhe pse disa nga lumenjtë tanë mbeten ende të pastër, shumë prej tyre mbeten ende të ndotur rëndë. Edhe digat janë kërcënuese për shkak të kthimit të lumenjve natyrorë në ujëmbledhës të qetë, duke ndryshuar ekosistemin përgjithmonë. Për më tepër, këto barrjera betoni pengojnë edhe peshqit për të shtegëtuar, në rrugën e tyre për shumim dhe mbrojtje. Disa njerëz përdorin makina të rënda që gërryejnë shtratin lumor për të shfrytëzuar rërën e tyre ose për t’i bërë ata më të lundrueshëm; edhe kjo dukuri, e njohur si kanalizim i lumenjve, i shkatërron ata dhe shkatërron botën e gjallë të tyre.

Lumi
Gjatesia ne Km
Pellgu, Km2
Prurja mesatare m3/s
Raporti midis prurjes
maksimale / minimale
Semani
281
5649
95.7
13.7

Pamje e pjesës fushor të lumit të Semanit në Mbrostar, Fier.


Ne Shqiperi erozioni dhe sedimentimi i lartë janë dukuri e dukshme që ndodh nga praktikat e gabuara të përdorimit të tokës (çpyllëzime dhe shfrytëzim inertesh), nga industria, nga bujqësia, nga
ndotja urbane, dhe nga përmbytjet. Humbja e tokës nga erozioni në Shqipëri mendohet të jetë nga 20 deri 70 tonë/ha në vit, dhe në raste të veçanta deri në 100 t/ha.
Prerja pa kriter, ilegale ka sjell kete dukuri te humbjes se tokes, pylezimet ne keto zona me specie si Rrapi, Plepi etj qe jane fort te mira per mbajtjen dhe sistemimin e tokes nuk jane bere prej kohesh.
 Gjendja me e mjerueshme ndodhen ne zonat rurale ku popullsia dhe bizneset I kane prere per te kryer aktivitetet e tyre. Gjendja me e mjerueshme ndodhet ne Mbrostar ku shume firma kane prere gjithe pemet dhe kjo ka sjelle qe here pas here ne tokat e bujkeve te kete permbytje te medha dhe kosto te larte.




Përdorimi i keq i tokës në pellgjet ujëmbledhës shqiptarë është vënë në dukje edhe nga studimi i kryer
nga specialistë të fushës në Fakultetin e Shkencave Natyrore, UT. Në histogramën e figurës jepen
vlerat mesatare (mg/l) të lëndëve të ngurta pezull (TSS) të 7 matjeve të ndryshme gjatë periudhës maj
2002 - mars 2004, në lumenjtë e Ultësirës Bregdetare Adriatike; mesatarja e përgjithshme ishte 113.6
mg/l, mbi 4 herë më shumë se vlera e detyruar prej 25 mg/l, e përcaktuar nga Direktiva 44 e BE-së për
peshqit (EC Fish Directive 44, 2006), por ka lumenj si Semani që kjo vlerë është mbi 11 herë më e
lartë. Mendojmë se gjendja e sotme nuk ka pësuar ndryshime përmirësuese nga ato të periudhës kur
është kryer ky studim. Vlerat e larta të grimcave të ngurta pezull në ujërat shqiptare janë dëshmi e
erozionit të madh dhe e përdorimit të keq të tokës në pellgjet ujorë përkatës të këtyre lumenjve, e
shkaktuar kjo nga dëmtimi i mbulesës bimore dhenga shkalla e madhe e ç’pyllëzimeve.
Thuajse në gjithë territorin shqiptar mbulesa bimore është dëmtuar rëndë në mënyrë të
dukshme. Sipërfaqet pyjore janë zvogëluar gjatë këtyre dhjetëvjeçarëve të fundit në mënyrë
eksponenciale, pa përdorur asnjë masë ripërtëritëse dhe shfrytëzimi të qëndrueshëm. Por edhe
më e rëndë duke gjendja e shkurretave mesdhetare dhe dushkajave të zonës kodrinore deri në
700-800 m lartësi, dhe fundi i luginave lumore, të cilat janë ndër më të shfrytëzuarat. Zonat e
zhveshura rëndë (10-50%) ose thuajse tërësisht të zhveshuara (75-100%) janë të pranishme në
çdo skaj të vendit, dhe lehtësisht të dukshme. Ndryshimet në mbulesën bimore dhe në
përdorimin e tokës ndikojnë në funksionet ekologjike të pellgut, dhe shkaktojnë ndryshime në
biocenozat bimore natyrore.

Erozioni i fuqishëm sjell edhe ndryshime cilësore në përbërjen kimike të ujërave. Në
përgjithësi të gjithë përbërësit kimikë rriten, por më shumë rritet kërkesa për oksigjen,
përcjellshmëria, lëndët pezull, azoti dhe fosfori, hidrokarburet (p.sh. pesticidet) dhe metalet
(jonet e kalciumit, kaliumit dhe magnezit, metalet e rënda etj.) që vijnë nga shplarja që i bëhet
sipërfaqes së pellgut, sidomos nga shpëlarja e shkarkimeve të zonave të banuara brenda
pellgut ujëmbledhës.

Këta përbërës ndikojnë në nxitjen e eutrofikimit të lumenjve, liqeneve dhe zonës bregdetare,
duke nxitur lulëzimin e algave, sidomos të cianofiteve, peridineve ose diatomeve. Edhe sasia
e baktereve patogjene rritet gjatë prurjeve të mëdha. Vlen të theksojmë se rreth 60% e
cianofiteve lulëzuese janë helmuese, duke ulur ndjeshëm cilësinë dhe shkallën e përdorimit të ujërave, duke kërënuar seriozisht botën e gjallë ujor dhe shëndetin e njeriut. Shumë nga këto
tipare janë vënë re në cilësinë e ujërave të Ultësirës Bregdetare Shqiptare, ku më të theksuara
kanë qenë në ujërat e Lanës, Tiranws, Ishmit dhe Gjanicës. Pranë qendrave të mëdha, ujërat e zeza dhe shumë shkarkime të tjera industriale mblidhen pa asnjë përpunim drejtëpërdrejt në lumenj, dhe transportohen drejt detit. Në studimin e lumenjve të Ultësirës Përëndimore Bregdetare, nga lëndët ushqyese, veçanërisht nitritet dhe amoniumi tejkalonin shpesh kufijtë detyruese të Standardit 44 të BE-së (2006) për cilësinë e ujërave sipërfaqësore për të siguruar mbijetesën e peshqëve.







Në histogramat e figurave më sipër jepen vlerat mesatare (mg/l) përkatësisht nitriteve (sipër), të amoniumit (mes) dhe të fosfateve (poshtë) të 7 matjeve të ndryshme gjatë periudhës maj 2002 - mars

2004, për lumenjtë e Ultësirës Bregdetare Adriatike. Ndër lumenjtë më të ndotur. Vlen të theksojmë se Lana, Tirana dhe Ishmi përshkojnë një
hapësirë shumë të banuar, me një popullsi prej rreth 850’000 banorësh. Mbeten gjithmonë tëshqetësuar dhe me një ndotje hera-herës ‘mesatare’ ose ‘të varfër’ (5 ≤ IPS < 13) edhe
stacionet e rrjedhjeve fushore të Semanit (Mbrostar, Fier), të Osumit (Berat dhe UraVajgurore)

 



Ndotja sipërfaqësorë kalon shpesh në ujërat nëntokësore; kjo është shumë më e vështirë të
vlerësohet se ndotja sipërfaqësore, për shkak se ujërat nëntokësore mund të përshkojnë largësi
të mëdha nëpërmjet rrugëve ujore të padukshme. Ujërat nëntokësore që lëvizin nëpër të çara
dhe guva nuk filtrohen; këta ujëra mund të transportojnë lehtë si dhe ujërat sipërfaqësore. Në të vërtetë, kjo mund të rëndohet më tej nga prirja që ka njeriu për të përdorur gropat natyrore
si vende për hedhjen e mbeturinave, në zonat me natyrë karstike.

Shumë e zakonshme në lumenjtë shqiptarë është edhe ndotja makroskopike pamore nga
hedhjet e plehërave të ngurta, që përfaqësohet nga objekte ndotëse të mëdha të dukshme –
shpesh të njohura si sende notuese në ujërat vërshyes të rreshjeve ose dhe të zonës bregdetare.
Hedhurina të ngurta (p.sh. kartona, sende plastike ose mbeturina ushqimore) të hedhura në
tokë me vend e pavend, shpesh buzë brigjeve, dhe të mbledhura nga rreshjet gjatë kullimit të
ujërave, ose notojnë shpesh rastësisht në sipërfaqe të ujërave; në zonat bregdetare cilësia e
ujit ndikohet edhe nga mbeturina të anijeve të mbytura ose objektesh të tjera të braktisura në
ujë.


Mbeturinat qe hedhin njerezit ne zonat rurale



Demet qe sjell shkaterrimi I Lumenjeve, shfaqet ne bregdet tek Algat.


18 June 2014

Territori dhe themeli për ringjalljen e shtetit

Haki Kola/Specialist

Dhjetëvjeçarët e fundit, toka shqiptare e ka dhënë sinjalin SOS. Pylli është prerë e riprerë, djegur e ridjegur, kullotur e mbikullotur, derisa në shumë vende i është zbuluar shkëmbi. Rrafshinat, kodrat e ujëmbledhësit i ka mbuluar betoni. Ky realitet nuk është pranuar nga institucionet shtetërore. Pyllprerësit  njëvjeçarë sapo janë dekoruar, duke marrë mandate 10 vjeçare për prerje. Institucione të shtetit, me ekspertë e dijetarë të mjedisit, natyrës, pyllit, kullotës e librave, që nuk u tregojnë taksa paguesve të tyre se sa pjesë e vendit digjet, përmbytet, pritet, gërmohet e betonizohet, se sa pyll e tokë humbet, nga frika se i mbetet hatri padronit, duket se janë prodhuar e punësuar me bollëk. Ata flasin e bëjnë libra për ekosistemin e përbërësit e tij, por nuk tregojnë as për hallet e tokës e as për shërimin e saj. Toka është organizëm. Pjesët e saj, ashtu si gjymtyrët e organizmit tonë, janë të ndërlidhura me njëra - tjetrën. Komunitetet rurale kanë bërë rrugë të gjatë, si pjesë e këtij ekosistemi. Ata trashëgojnë, nga dijet e krijuara nga praktika jetësore e gjeneratave paraardhëse, njohuri mbi tokën ku organizojnë jetën, si në fermën bujqësore ashtu edhe kur i drejtohen krastës, djerrinës, ograjës, korijes, zabelit, hamallës apo prozhmes e kashnjetit, pyllit e kullotës. Këto dije shumë herë nuk pranohen nga ekspertët e institucioneve e nuk përdoren kur hartohen politika e ligje për raportet e komunitetit me tokën. Nëse skuadra që përgatitet të marrë nën menaxhim vendin, do e marrë në konsideratë thirrjen SOS të tokës, indikatori i parë duhet të ishte që të pranonte problematikën, të konsultohej me organizma ndërkombëtare e bashke me ta të ndërtonte një strategji kujdesimi për tokën tonë, asetin pothuaj përjetësisht të braktisur.



Ky do të ishte indikacion i fillimit të ndryshimit të institucioneve, si dhe të hapjes së rrugës për zgjidhje. Një etikë për tokën do te reflektohej më pas si sinjal që koshienca ekologjike e shtetit tonë po zgjohet dhe po e njeh dhe delegon te  komuniteti ku e ka vendin, kujdesin dhe përgjegjësinë për kurimin e mëmëdheut. Toka pyjore vlerësohet nga shkencëtarët si thesar biologjik e ekologjik dhe, njëkohësisht, si mister dhe enigmë, në të cilën shkenca deri tani ka zbuluar një fraksion gati të pakonsiderueshëm. Bakteret e kërpudhat,  që e popullojnë, të padukshme për syrin e njeriut, janë motori i tokës normale pyjore dhe i duhen tokës aq sa i duhet pyllit prania e drurëve për të mbajtur emrin pyll. Si trup i gjallë, ajo komunikon, jep e merr, shëndoshet e dobësohet, përjeton lindjen, sëmundjen, deri dhe vdekjen, në varësi të rrethanave të vendndodhjes  e  trajtimit  që  i nënshtrohet.    Shëndetësimi përbën pikërisht trajtimin apo regjimin që i duhet tokës sonë për të filluar ripërtëritjen apo rilindjen e shtresës së saj të sipërme, mbulesës së saj të gjallë e  pjellore, që është prerë,djegur e sakatosur barbarisht, veçanërisht 20 vitet që lidhin fund-fillimin e shekujve. Ajo nuk ka bimë, e ka humbur humusin, nuk e mban dot veten e as nuk i ruan dot nga mbushja rezervuarët e hidrocentraleve, rrugët, kanalet e tokën bujqësore të rrafshinës. Nga ushqyese e strehuese, ashtu siç është katandisur, në rrethana të ndryshme të motit shndërrohet në përmbytëse e kërcënuese. Edhe kjo na u desh në këtë rrënim ekonomik, po sa është kostoja e ringjalljes do pyesë dikush?


Askush nuk ka pse të trembet e ta heqë nga prioritetet e para. Nuk ka vend për panik. Toka është e bekuar. Ajo kontribuon edhe kur është në kurim. Punëson njerëzit. Rrit bimë. Strehon kafshë. Pastron e freskon ajrin. Shton ujin. Nëse bazohet në strategji e projekt  të  mençur,  puna  për kujdesim e kurim të tokës, nga banorët lokalë, konsiderohet si shërbim  global  mjedisor  dhe shpërblehet. Angazhimi dhe dhënia e kësaj përgjegjësie për të realizuar shërbime mjedisore kuruese, do të ishte sinjali i parë i shpresës se dashuria për token do të rilindë. Kjo duket si fjalë e çuditshme, nëse do u  referohej mediave të krye- qytetit apo mentalitetit sundues të administratës e burokracisë shtetërore. Qëndrimi pothuaj shekullor dëshmon që dashuria, respekti, admirimi për tokën e vlerat e saj, janë terma të panjohur. Ndoshta pengesa më serioze për të evoluar në etikën dhe respektin për tokën vjen nga fakti që sistemi ynë edukativ dhe  ekonomik  i deri- tanishëm është orientuar për nga largimi, mohimi i traditave shekullorë të popullit si “të prapa- mbetura”, orientim për braktisjen e  tokës  e  të  dashuruarit  me imazhin. Praktika e ruajtjes duhet gjetur e duhet marrë tek bindja se çfarë është e rregullt nga pikë- pamja estetike e etike dhe çfarë është   për   mbarë   nga   ana ekonomike. Një gjë është e rregullt, vetëm kur tenton të ruajë integritetin, stabilitetin dhe bukurinë e ekosistemit. Ekosistemi përfaqëson si tokën edhe ajrin, ujërat, faunën e florën, peizazhin, por edhe vetë komunitetin njerëzor. Vetëm kështu do të fillojmë të ndërgjegjësohemi:    ideja    e përdorimit të arsyeshëm human, është e pranueshme dhe shpërblehet, qoftë edhe vetëm për aq sa  nuk  u  shkatërron  kushtet jetësore  banoreve apo organizmave të tjera të tokës.


E përkthyer në gjuhën e teorisë së ekonomisë, vete ekosistemi me përbërësit e tij mund të përshkruhen si kapital, i cili sjell një pako të shërbimeve për komunitetin e familjet përbërëse, disa prej të cilave janë të ndara dhe të  inkorporuara  në  produkte, grumbulluar dhe / ose të konsumuara. Shërbime të tjera publike janë mallrat apo shërbime që japin përfitim të përbashkët në mjedisin e përmirësuar dhe mirëqenien e komunitetit. Të gjitha së bashku, këto shërbime mjedisore varen nga aftësitë ripërtëritëse aktuale të kapitalit të ekosistemit, rezultateve qe arrihen në shtimin e këtij kapitali, në raport me konsumin e shërbimeve të ekosistemit. Partnerët tanë ndërkombëtarë, si  Banka  Botërore, Agjencia Suedeze për Zhvillim Ndërkombëtar, po e asistojnë Shqipërinë në identifikimin dhe zbatimin e një projekti,  i  cili  do  të  bazohet pikërisht në pagesat për shërbime mjedisore, apo thënë me fjalë të tjera, për të krijuar modelin se si duhen organizuar e mbështetur kujdestarët e ngjalljes së tokës e të mbulesës së saj. Suksesi i këtij projekti  tepër  strategjik  për ringjalljen e tokës, varet së tepërmi se si do të ndërtohet kuadri politik e ligjor për të drejtat që do kenë komunitet për tokat. Harmonizimi i politikave mbështetëse, si dhe definimi i saktë i të drejtave e detyrimeve të përdorimit apo të pronësisë, janë guri i themelit.


Çdo progres e sukses i mundëson projektit shtrirjen e mëtejshme territoriale,  shtimin  e  pjesë- marrësve  (punësim) dhe kontribuesve në këtë projekt. Suksesi mundëson shtim të kontributit të donatoreve ndërkombëtarë, të cilët janë në ethet e gjetjes së një modeli të trajtimit të  ekosistemit,  për  të përballuar  sfidat  e  afërta  të ndryshimeve klimatike. Relievi, raportet fushë - kodër - mal dhe statusi aktual i tokës e veshjes së saj, si dhe potencialit për ndryshim shumë të shpejtë në Shqipëri, përbëjnë  një  shans  të  papërsëritshëm demonstrimi. Shqipëria mund te paguhet për kontribut për ruajtje  të  tokës,  detit,  ujit, kontribut në pakësim të gazit karbonik në natyrë  e  shtim të biodiversitetit. Demonstrimi i suksesit i hap rrugë shtimit të ekoturizimit. Përfaqësues   të skuadrës në pritje për menaxhim të  shtetit  shqiptar,  mund  të organizojnë diskutime paraprake për këtë projekt, që është në zhvillim. Kjo i mundëson kësaj skuadre  të  shpresës,  që  këtë problem shumë të madh kombëtar, ta kthejë nga problem në zgjidhje, në  një  burim  punësimi  e  të ardhurash, që vijnë nga ringjallja e tokës shqiptare.


16 June 2014

Kam frikë për Lurën

Ferdin Licaj

Lura me liqenet e saj ka zënë vënd në mëndjen dhe në shpirtin e çdo shqiptari të zakonshëm. Në fakt shumë pak  syresh e kanë parë ose vizituar ‘live’ këtë vënd magjepsës, përfshirë edhe  mua.  Dikur, kur ky mal i bukur u shpall park natyror kombëtar, Lurën e shikonim me ëndje dhe kënaqësi të veçantë nëpërmjet kartolinave që shkëmbenim gjatë periudhave të shëkmbimit të viteve; e shikonim gjithashtu në të vetmin ekran të TVSh-së i cili në ditë të caktuara të javës shfaqte foto të marra nga liqenet e Lurës. Edhe sot e kësaj dite në përfytyrimet e mia liqenet e Lurës janë një mit i vërtetë i bukurisë së larmishme të natyrës shqiptare...


Por çfarë ka ndodhur me lurën dhe me liqenet e saj vezullonjës?  Druaj të përgjigjem  sepse ndokush që mund ti lexojë lëta rreshta do të nxitojë të thotë: “ E dimë se ç’ka ndodhur, këtë deshe të na thoshje ti?”. ..  “- Ok, ok, nxitoj ti kundërpërgjigjem unë koktulit imagjinar, por të lutem më lejo ta shpreh unë, me fjalët e mia, sepse nuk besoj aspak që shumica e njerëzve të genit tim të dinë ç’ka ngjarë mirëfilli në shfarrosjen e pyjeve, në tharjen e liqeneve, në arratisjen e kafshëve e të zogjëve, në vdekjen e luleve e të insekteve dhe në shplarjen e tokave...në gjithçka që shkaktoi ‘hiroshima’ e tranzicionit të poshtër shqiptar në këtë tokë të bukur të atdheut tonë të përbashkët që quhet Shqipëri...




“Po mirë – vazhdon koktuli – e çë pastaj? - Do mbijnë prapë pyjet”... “- Dëgjo i dashur vëlla! – i drejtohem koktulit imagjinar plot neveri të shoqëruar me një buzëqeshje të verdhë – Dëgjo pak të lutem!... Koktuli zgudullon sytë duke përplasur qepallat si një trap klasik pastaj më ngul vështrimin e tij të stepur prej idioti.  “ Dëgjo vëlla! –i  them i sforcuar përsëri  - Ata pyje nuk mund të rimbijnë përsëri sepse pasi u prenë krejtësisht, nga shqipfolësit  e asaj periudhe u dogj gjithçka që ngeli në këmbë duke shpërndarë benzinë anë e mbanë malit dhe duke ndezur shkrepse gjithandej; pra  na ishte një herë një vënd  i bukur në të cilin vetë Zoti kishte qëndisur me dorën e Tij Supreme gjithçka që shihte syri i të vdekshmit njeri, një vënd plot stolira drurësh, lulesh, liqenesh, kafshësh të gjithfarëshme, zogjsh, insektesh, një vënd i cili quhej LURË... Koktuli rrotulloi sytë, fytyra e tij u vrazhdësua, tendosi dorën dhe e shtriu drejt meje si një tabelë polici dhe më thotë: “- Pse  po tani sipas teje nuk është më Lura?”...E kuptova që koktuli s’kuptonte gjë sepse si mijëra të ngjajshmit e tij ai nuk ishte në këtë dynja; për një sekondë më erdhi keq për të por pastaj përsëri më pushtoi neveritja karshi fytyrës së tij dhe medemek i them: “ Sot na është një vënd i djegur  i shkrumbosur, e i zhveshur ku syri nuk të sheh asnjë zog, në të cilin veshi nuk të dëgjon asnjë dihatje apo klithmë të ndonjë kafshe apo shpendi, ku toka ka humbur ngjyrën e blertë të tapetit barishtor dhe ka marrë atë të dheut të kuqërremtë mbushur plot rrëpira, ku liqenet janë kthyer në pellgaçe ujëmbajtëse; një vënd të cilin nuk e lidh asgjë me hiret e dikurshëm  magjiplote, pra na është një vënd i cili mban vetëm emrin Lurë por që vazhdon të qëndrojë në përfytyrimet imagjinare të atyre që e deshën me gjithë shpirt ndonëse nuk arritën asnjëherë ta vizitonin...


Një lajm i mirë por pak i besueshëm bëri ballë në rrjetin virtual të facebookut para pesë ditëve:  “Lura do të ri-pyllëzohet ashtu si ç’ka qënë dikur”, pra do të rikthehet në identitetin e mëparshëm. Këtë lajm e jep zëdhënësi i Ministrisë së Mjedisit, Pyjeve dhe Administrimit të Ujërave në Tiranë.

Ok, e lexoj me vëmëndje njoftimin zyrtar të MMPAU i cili theksonte se për këtë qëllim “ Janë vënë në dispozicion  një milionë Euro të cilat do të shërbejnë për pyllëzimin e treqind ha sipërfaqe të parkut kombëtar me llojet Arni, Hartinë dhe Pishë e Zezë.  Menjëherë në kokë më vërshojnë pyetjet: “Kush e ka bërë këtë projekt dhe si është e mundur që nuk është dhënë asnjë informacion publik paraprak për këtë qëllim?...Ok, sepse dihet tashmë çështja e tenderave te ne në përgjithësi dhe veçanërisht te MMPAU...por ajo që më frigon mua është dyshimi im në se ‘projekti misterioz’ i këtij institucioni  është bazuar ose jo në ndonjë studim paraprak mbi strukturën drunore të grumbujve pyjorë të parkut kombëtar të Lurës si dhe mbi skemat e përhapjes spontane të tyre  brënda  hapsirës së projektuar?...Në këtë park dihet historikisht cilët kanë qënë llojet mbizotërues dhe vëndin e parë e ka zënë arneni (Pinus peuce), pastaj hartina (Pinus sylvestris) dhe  në radhë të tretë pisha e zezë (Pinus nigra)... Po për llojet e tjerë fletorë që kanë marrë pjesë në grumbujt pyjorë të parkut a do të këtë hapsirë për tu pyllëzuar sipas skemave spontane të dikurshme?  Nga të dhënat që posedojmë për arkun le të citojmë panjën e malit (Acer pseudoplatanus), frashërin e zi (Fraxinus excelsior); blirin fletvogël (Tilia cordata); blirin fletgjërë (Tilia platyphyllois); ajdesin e alpeve (Laburnum alpinum); vadhjen e egër (Sorbus aucuparia) etj....Së fundi më lejoni të  bëj një pyetje retorike: “Kush do ta monitorojë ecurinë dhe zbatimin e përpiktë të projektit madhor që synon rimëkëmbjen e parkut të famshëm? “  Apo ndoshta  do të përflasim përsëri ashtu si ç’kemi përfolur edhe më parë për  afera korruptive edhe në këtë rast? ...Nuk e di por për Lurën kam frikë...

03 June 2014

Qeset qe nuk na ndahen

Rita Strakosha


Në vitin 2012 u aprovua një  VKM, tashmë e harruar, mbi amballazhet. Për të kujtuar lexuesit dhe ata që e kanë aprovuar, kjo është VKM nr. 177 “Për amballazhet dhe mbetjet e tyre”. Sipas kësaj VKM-je nga 1 janar 2013 do të ndalohej përdorimi, importimi dhe prodhimi i qeseve të pabiodegradueshme. Në treg do të përdoreshin vetëm qeset e biodegradueshme, të cilat do të kishin dhe një shenjë dalluese. Nuk kam parë ende një qese të vetme me shenjën e biodegradimit mbi të. Kjo VKM vdiq pa lindur ende. Por një efekt anësor e ka pasur: qeveria pas aprovimit e fjeti mendjen se problemi i qeseve, të paktën në letra, u  zgjidh.

Pengesa kryesore në zbatimin e VKM-së, sipas burimeve në industrinë e plastikës, është çmimi i lartë i qeseve të biodegradueshme. Këto shqetësime atëherë me sa duket qeveria nuk i mori parasysh, dhe vazhdoi me aprovimin e VKM-së. Industria po ashtu nuk i mori parasysh shqetësimet e qeverisë dhe vazhdoi me prodhimin dhe shitjen e qeseve te pabiodregadueshme. Si mund të zgjidhet ky problem mjedisor, në dukje banal, por po aq kokëfortë, i qeseve?

Qeveria së pari duhet të pranojë se VKM-ja nuk po zbatohet, ndoshta për arësye të mirë, dhe të rishikojë përmirësimin e saj duke pasur parasysh kostot e zbatimit. Mjet tjetër, që mund të përdoret për pakësimin e qeseve plastike në qarkullim, është akciza. Aktualisht ka akcizë mbi qeset plastike, por tepër e ulët për të krijuar një çmim të dukshëm mbi qeset. Në kuvendimin mjedisor të organizuar nga "Zyra Qytetare per Mjedisin"  përpara zgjedhjeve të përgjithshme të 2013, Qendra “Grupimi Ekolëvizja” propozoi rritjen e akcizës mbi qeset plastike. Në vijim të kuvendimit, një kontratë e gjelbër u firmos nga LSI-ja me kërkesat e shoqatave mjedisore, të ngritura në kuvendimin mjedisor. Në pikën 26 të kontratës së gjelbër kërkohet vendosja e një takse prej 10 lekësh të reja mbi çdo qese plastike. LSI-ja është parti në maxhorancë tashmë dhe ka mundësitë ti ligjërojë premtimet elektorale. Rritja e akcizës mbi qeset është një nga këto.

Pakësimin e përdorimit të qeseve do e lehtësonte adaptimi i tregut dhe shoqërisë ndaj trastave prej cope. Në çdo market e pikë shitjeje nuk ka mundësi blerjeje të fruta-perimeve veçse me qese. Frutat dhe perimet fillimisht peshohen në qese, në peshore elektronike, pastaj merren nga konsumatori. Përpara viteve 90 pikat e shitjes së fruta-perimeve kishin enë të posaçme ku këto peshoheshin. Konsumatorët përdornin rrjeta të ripërdorshme. Kështu nuk kishte nevojë fare për qese plastike. Sot këto enë nuk përdoren fare në pikat e fruta-perimeve. Ti kërkosh dyqanxhiut të mos të të japë qese, ky i fundit të shikon i habitur, dhe në shumë raste ta ngec qesen edhe pa dëshirë. “Kaq koprace qenka, sa do kursejë qesen”-mendon ai me vete. Kurse mjedisores i vjen zor ti thotë, se nuk do të ndotë mjedisin me atë qese, dhe me qindra të tjera që do vijnë pas saj.


Fusha tjetër ku përdorimi i qeseve është pothuaj i pazëvendësueshëm është grumbullimi i mbeturinave shtëpiake. Gjithsesi, me dëshirën e mirë, edhe mbeturinat shtëpiake mund të grumbullohen në koshin e shtëpisë e të derdhen direkte në vendgrumbullimin publik, pa qenë nevoja e përdorimit të qeseve plastike.

Një përdorim i tretë i qeseve plastike, ku këto me vështirësi zëvendësohen, është ruajtja e ushqimeve në temperatura shumë të ulëta. Ngrirja pothuaj gjithmonë realizohet duke i paketuar ushqimet në qese. Heqja e ushqimeve nga ngrirja kështu realizohet me lehtësi. Edhe këtu qesja mund të zëvendësohet me enë.


Megjithë dëshirën e mirë për pakësimin e përdorimit të qeseve, VKM-ve dhe projekteve mjedisore, qeset vazhdojnë të jenë kokëforta, kurse ne duhet të sjellim risi në arsenalin tonë kundër tyre.