Nga Rexhep Ndreu
Proçesi i transferimit pyjeve dhe kullotave ka filluar në vitin 1996 nën drejtimin e Drejtorisë së Përgjithshme të Pyjeve dhe Kullotave në bashkëpunim me Njësitë e Qeverisjes Vendore dhe Shërbimin Pyjor në rrethe. Kjo me mbështetjen teknike e financiare të Projektit të Pyjeve të Bankës Botërore (PP/BB), të Programit për Zhvillimin e Pylltarisë Private në Shqipëri (APFDP), i financuar nga USAID. Aktualisht vazhdojnë të mbështesin këtë proçes PZHBN, SIDA, SNV (CNVP), ILC dhe organizma të tjerë ndërkombëtare. Aktualisht në Drejtorinë e Politikave Pyjore e Kullotave të Ministrisë së Mjedisit, funksionon një Sektor i Pyjeve dhe Kullotave Komunale.
Proçesi i transferimit pyjeve dhe kullotave ka filluar në vitin 1996 nën drejtimin e Drejtorisë së Përgjithshme të Pyjeve dhe Kullotave në bashkëpunim me Njësitë e Qeverisjes Vendore dhe Shërbimin Pyjor në rrethe. Kjo me mbështetjen teknike e financiare të Projektit të Pyjeve të Bankës Botërore (PP/BB), të Programit për Zhvillimin e Pylltarisë Private në Shqipëri (APFDP), i financuar nga USAID. Aktualisht vazhdojnë të mbështesin këtë proçes PZHBN, SIDA, SNV (CNVP), ILC dhe organizma të tjerë ndërkombëtare. Aktualisht në Drejtorinë e Politikave Pyjore e Kullotave të Ministrisë së Mjedisit, funksionon një Sektor i Pyjeve dhe Kullotave Komunale.
Si rezultat i reformave, pylltaria komunale ka arritur mjaft suksese në Shqipëri, ku përfshirja e përdoruesve – familjeve fshatare – është e lartë. Ndikimi duket sidomos në ruajtjen dhe përmirësimin e pyjeve të degraduara të ndodhura pranë fshatrave, të përdorura tradicionalisht prej tyre, bashkërisht si fshat apo veçan secila familje në pjesë të caktuara. Në këto zona, pyjet po ripërtërihen dhe kanë filluar të japin prodhime drusore aq shumë të nevojshme për të zbutur varfërinë në fshat, si dhe sigurojnë shërbime të tjera.
Zona të mëdha të pyjeve të degraduara janë kthyer sërish në pyje të vlefshme. Shembuj mund të shihen në të gjithë Shqipërinë si në Kukës, Dibër, Lezhë, Korçë dhe Elbasan. Kjo është bërë e njohur edhe në shumë plane menaxhimi nga Projekti i parë i Bankës Botërore në më shumë se 130 Komuna dhe planet e APFDP dhe PZHBN, në 240 plane mbarështrimi.
Kjo është një bazë e mirë për të argumentuar për Qeverinë se, bazuar mbi traditën dhe Kushtetutën, privatizimi është i mundur. Mbi këtë bazë në ligjin e ri të Pyjeve që po hartohet, të vendosen pronësia private dhe njohja me ligj e pronarëve tradicionalë që njeh fshati.
Për fat të keq, në të kundërtën të zhvillimit pozitiv të pyjeve komunalë, pyjet e larta në pronësi të shtetit mbeten problematikë. Eksperienca që prej viteve 90’ deri më sot tregon për mbishfrytëzimin e tyre, djegien masive dhe prerjet ilegale. Kërkohen përpjekje të mëdha që Shërbimi Pyjor Shtetëror dhe Ministritë përkatëse që janë ngarkuar me pyjet, të ndalojnë degradimin e pyjeve, eksportin defiçitar të drurit dhe çuarjen e këtyre pyjeve drejt menaxhimit të qëndrueshëm. Pyjet e mbetura shtetit do të duhet të menaxhohen në mënyrë të qëndrueshme duke përdorur mundësitë ekonomike dhe të ardhurat e siguruara nga shërbimet mjedisore të ofruara nga këto pyje.
Ka shumë raste që përpjekjet e qeverisë për decentralizim nuk kuptohen nga komunitetet apo nëpunësit vendorë. Fermerët mirditorë, dibranë, matjanë e pukjanë, pyllin e familjes e kanë një realitet shekullor me gurë e kufinj, që i kufizon me njëri-tjetrin apo me qeverinë. Tani ata shohin që qeveria po i transferon pyjet në komunë dhe dëgjojnë ndonjë nëpunës të komunës që thotë se dhe pylli yt është pronë e komunës?!
Ekspertët e pyjeve, por edhe drejtuesit dhe institucionet nuk e njohën kurrë sistemin e zabelit, për të cilin punohet pothuajse nga pjesa dërrmuese e fermerëve në pyjet e vogla rreth shtëpive, që janë një potencial i madh dhe mundëson të sigurojë, dru, gjeth, shkarpa dhe ndihmon të shpëtojë pyjet e lartë të ahut e pishës në zonat malore. Ai ka rëndësi shumë të madhe për ekonomitë rurale, stabilitetin e komuniteteve dhe shëndetin e mjedisit në shumicën e vendeve rurale të banuara dhe është i njohur kudo në botë. Sot në kohët moderne, rreziku më i madh, që po kërcënon deri në humbje, jo vetëm pyllin, po edhe vetë tokën, është mungesa e të kuptuarit dhe të vlerësuarit të problemit e harmonisë së njeriut me tokën dhe e ligjërimit të këtyre raporteve. Zyrtarët e ftohtë urbanë, skllevër të sloganeve fikse, krijojnë konfuzion në të gjitha shtresat e shoqërisë, fusin në konflikt popullsinë urbane me atë rurale.
Shumica e të shkolluarve, pavarësisht nga specialiteti, janë të mbyllur në sloganin “mbroni pyllin”, duke luajtur patriotin e krijuar një ç’orientim të madh në gjithë shtresat shoqërore e veçanërisht tek vendimmarrësit. Politika e gabuar e pronësisë mbi tokën, nënvleftësimi i nevojave dhe planifikimi jo real i tyre, kombinuar me prapambetjen ekonomike e sociale dhe ndjeshmërinë tepër të madhe të sistemeve të brishta ekologjike, janë ndër shkaktarët e këtij degradimit intensiv në pyje. Media, bashkë me politikën, as që e kuptojnë se eksperti dhe asistenca financiare bëhen të panevojshme për një sistem, nga i cili nuk kërkohet prodhim. Për të gjithë opinionin publik prerja e drurëve, pa bërë dallimin ku dhe për çfarë, pa ditur që prerja është formë e menaxhimit, aktualisht trajtohet si kasaphanë.
Pra, është e vështirë të krijohet një bazë ekonomike e mjaftueshme për t’u dhënë njerëzve atë cilësi jetese që meritojnë, si dhe një qeverisje të bazuar mbi konceptin progresiv të ndarjes së pasurisë. Kjo është evidente edhe kur përpiqesh të fajësosh personat e pushtetshëm apo politikën, që vazhdon të mbajë të “korruptuar” proçesin (dhe jo vetëm). Problemi kryesor i medias është pikërisht brenda tyre. Pra atje, brenda tij, janë arritjet dhe po atje duhet të kërkohen edhe dështimet. Teorizimet vet-përkëdhelëse se për gjendjen e keqe të pyjeve e të tokës, apo erozionin e shtuar e ka fajin fshatari dhe “po t’i japim pyllin ai do t’a presë”, “ai është ku e ku i korruptuar, mediokër e korruptues” s’janë gjë tjetër veç një mënyrë justifikimi e pseudo-specialistëve dhe pseudo-politikanëve, që nuk mund t’a gjejnë veten në treg, por përpiqen me metoda demagogjike nën petkun e partive, të rrezikojnë e deformojnë gjithë proçesin dhe rezultatet e gjithë këtyre viteve.
Vendi ynë ka më se dy milionë ha pyje, kullota, sipërfaqe djerrë e inproduktive, etj. dhe në fakt janë pak rreth 2000 ekspertë të fushës së pyjeve, që duhet të realizojnë të gjitha shërbimet dhe monitorimin e kontrollin, menaxhimin e tyre.
Por, të gjitha këto bëhen kur ndahen rolet dhe përgjegjësitë me ligj e jo me urdhra, siç veprohet sot. Kjo është rruga që kanë përdorur vendet e zhvilluara dhe i kanë futur pyjet në tregun formal, kanë marrë investime për zhvillimin rural, duke u adresuar nga shteti kryesisht tek privati për mbjellje e shërbime të tjera, jo vetëm me akacie e pisha, por edhe me arrë e lajthi, gështenja e bajame, që përveç vlerave ekologjike kanë edhe vlera ekonomike.
Ne nuk ecim në rrugë të panjohura, modelet janë të shumta, në radhë të parë nga komunitetet rurale që menaxhojnë tradicionalisht në mënyrë të shkëlqyer pyjet e veta, përdoruesit tradicionalë që janë përdorues e pronarë ndër shekuj të pronave të tyre. Vetëm po të marrim Kosovën, ku kemi parë dhjetëra herë, por dhe siç njofton APK, pyjet e privatëve janë më të shëndetshme se ato shtetërore. Jo vetëm në Slloveni, por edhe në Austri, Zvicër e Suedi, ka edhe pronarë me 1 ha tokë pyjore, por kriteri i menaxhimit vendoset për të gjithë dhe të gjithë janë të detyruar të zbatojnë menaxhimin e qëndrueshëm. Kush e shkel ndëshkohet! Edhe tek ne le të veprojë ligji ... Veç, jo strukturat nën të njëjtën përgjegjësi, por të ndara, siç i ka e gjithë bota ku duam të integrohemi.
Çfarë kërkohet?
• Të gjitha këto ndryshime bëjnë të nevojshëm hartimin e një ligji të ri për pyjet, ku të pasqyrohen realitetet e reja, si dhe të ecet drejt shndërrimit të së drejtës së përdorimit në të drejtë pronësie të sipërfaqeve pyjore e kullosore. Kjo të bëhet sipas kritereve të caktuara dhe kombinuar me interesat e përdoruesve vendorë me ato të krejt shoqërisë, për të siguruar zhvillim të qëndrueshëm të pasurive natyrore dhe rritjen e mirëqënies së njerëzve.
• Inventari i pyjeve dhe planet e menaxhimit do të ndihmojë në përditësimin e të dhënave. Kërkohet të qartësohet sipërfaqja e pronave dhe mbi këtë bazë të ndërtohen strukturat në të gjitha nivelet, proçes që mund të bëhet paralelisht me reformën institucionale.
• Të dhëna të qarta (inventari dhe kadastra) do të lehtësojnë vendim-marrjen nga të gjitha pikëpamjet si për pyjet shtetërore, komunale dhe zonat e mbrojtura si dhe të përmirësojë shërbimin që duhet për të gjitha pronat dhe monitorimi i tyre.
Vendi ynë po bën përpjekje të mëdha për integrimin në BE, por integrimi nuk është qëllim në vetvete, si një “punë” që duhet kryer. Fillimisht, gjithësecili nga ne duhet të punojë me përkushtim për të krijuar standardet më të mira të jetesës për qytetarët shqiptarë dhe kjo më pas, natyrshëm shpie në qëllimin final, atë të integrimit. Mirënjohje dhe respekt për të gjithë specialistët e çdo fushe, e atyre të pyjeve në veçanti, për kontributin që kanë dhënë e vazhdojnë të japin, që ky vend të bëhet ashtu siç të gjithë ne e duam, ku të drejtat e mohuara historikisht, por edhe ato aktuale, të respektohen, ku ligjet të zbatohen me rigorozitet dhe drejtësia të ngrihet në piedestalin që i takon, duke rikthyer kështu dinjitetin e nëpërkëmbur...
No comments:
Post a Comment