07 February 2014

Masakra që po i bëhet Liqenit të Pogradecit

Bregu i Liqenit të Pogradecit nuk është më si më parë, pasi përgjatë tij po hidhen përditë dhera dhe inerte, që nga fshati Lin dhe deri në qytet, duke bërë që të humbasin kilometra të tërë vijë liqenore. Astrit Shkëmbi, një nga peshkatarët e njohur të kësaj zone tregon se e gjithë kjo ka ardhur për shkak të kthimit të bregut në hapësira për lokale, si dhe për shkak të neglizhencës së pastrimit të kallamishteve.

Shtimi i sipërfaqeve të mbuluara nga kallamishtet ka ulur në maksimum vendet ku mund të bëhet plazh nga Pogradeci e deri në afërsi të Linit. Në kushte të tilla sipas banorëve të zonës, është e vështire të bëhet fjalë për të pasur turistë vendas dhe shumë më pak të huaj. Zyrtarë të komunës Udenisht e shikojnë si shqetësim këtë problem, por duken të pafuqishëm për heqjen e kallamishteve për shkak të buxhetit të paplanifikuar nga qeveria për këtë problem.

Ndërkohë, specialistë të mjedisit dhe të peshkimit, edhe ata jashtë kamerave, pranojnë se sipërfaqe të tilla të mëdha të kallamishteve në liqen, më shumë e dëmtojnë sesa i duhen liqenit. Për të njëjtat arsye, pothuajse janë humbur kilometra të tëra të vijës liqenore të Prespës së Vogël.
Punimet ne buze te Liqenit

1 comment:

  1. Nga Prof. dr. Perikli Qiriazi

    Pershendetje Z/Znj te buletinit Mjedisi Sot,
    E kam vleresuar punën tuaj për të shpërndarë informacionin mjedisor.
    Ndërkohë, është hera e dytë që botoni një artikull mbi masakrën në brigjet e liqenit të Ohrit. Jam shumë dakord me shqetësimin që ngrihet mbi degradimin e vijës bregliqenore nga inertet dhe mbetjet e tjera të lokaleve të shumta që hidhen në cekinën dhe në breg të liqenit. Këto veprime te papergjegjshme po denatyrojnë peizazhin dhe po demtojnë rëndë vlerat ekologjike të kësaj pasurie boterore. Kujtoj se liqeni i Ohrit është sit i trashëgimisë natyrore botërore, që mbrohet nga UNESC-ua. Kjo përbën detyrim ligjor për kujdes të veçantë nga të gjithë, shteti dhe pushteti vendor në rradhë të parë.Për këtë duhet të ngrihet fort zëri ynë i protestës në mbrojtje të vlerave të liqenit të Ohrit.
    Njeherazi ne vazhdim te artikullit theksohet se " Shtimi i sipėrfaqeve tė mbuluara nga kallamishtet ka ulur nė maksimum vendet ku mund tė bėhet plazh nga Pogradeci e deri nė afėrsi tė Linit. Nė kushte tė tilla ....... ėshtė e vėshtire tė bėhet fjalė pėr tė pasur turistė vendas dhe shumė mė pak tė huaj. Zyrtarė tė komunės Udenisht e shikojnė si shqetėsim kėtė problem, por duken tė pafuqishėm pėr heqjen e kallamishteve pėr shkak tė buxhetit tė paplanifikuar nga qeveria pėr kėtė problem". Jo kallamishtet kursesi nuk duhen hequr, sepse me ekosistemin e tyre është e lidhur jeta e shume gjallesave të liqenit, është i lidhur biodiversiteti i pasur i tij. Heqja e ketyre kallamishteve do të thotë të shkatërrosh me duart e tua një vlerë të rrallë të këtij siti të trashëgimisë botërore. Është kjo aresyeja që ekosistemet më interesante të kallamishteve duhen shpallur "monumente natyre" dhe të ruhen dhe menaxhohen me shumë kujdes dhe me metoda shkencore.
    Në këto kushte jo çdo artikull i botuar në shtypin e përditshëm është i vlefshëm për buletinin tuaj, i specializuar për problemet mjedisore. Përkundrazi ju duhet të mbani qendrim ndaj këtyre publikimeve që e shikojnë liqenin vetëm për qëllime fitime nga turizmi, i cili kursesi nuk mund të zhvillohet në mënyrë të qendrueshme, duke shkatërruar vlerat natyrore.
    Me shpresë se raste të tilla nuk do të përsëriten dhe duke ju uroruar punë të mbarë
    Prof. dr. Perikli Qiriazi

    ReplyDelete