10 April 2014

Vrasja nuk është zgjidhje


Endri Haxhiraj

Instituti i Politikave Mjedisore

Vetëm disa ditë pas zbulimit të vrasjes së fshehtë, ku punëtorë të Bashkisë Tiranë flaknin trupat e qenve endacakë të vrarë me injeksione në kosha publik të mbetjeve, këta të fundit kanë zënë qendrën e vëmendjes së opinionit publik. Kjo u arrit në sajë të disa tubimeve të njëpasnjëshme para Bashkisë së Tiranës me subjekt ndalimin e vrasjes së qenve.
Si në një pjesë të mirë të çështjeve mjedisore por jo vetëm, kemi dy kampe. Një grup jo i vogël njerëzish që janë kundra vrasjes dhe një grup po ashtu jo i vogël njerëzish “në kampin e vrasjes”.


Pavarësisht rrymës filozofike të secilit prej kampeve ka disa momente që duhen marrë në konsideratë:

Shoqëritë në zhvillim sikurse e jona, kanë një përqasje drejt zgjidhjeve sa më afatshkurtra dhe me efekt të menjëhershëm. Nëse objektivi i dytë arrihet, pra efekti i menjëhershëm, zgjidhja përfundimtare duket gjithmonë e më larg të arrihet. Ne këtë kuptim, në një dokument te Organizatës Botërore të Shëndetësisë citohet se: “Shpesh autoritetet të përballur me problemet që shkaktojnë qentë endacakë, shkatërrojnë gjithshka me shpresën se do të gjejnë një zgjidhje të shpejtë, shkatërrim që duhet të vazhdojë vit pas viti pa shenja të zgjidhjes”.
Tirana strehon rreth 5000 qen endacakë por numri i saktë i tyre nuk dihet. Vrasja e qenve “të lirë” thjesht do të krijojë më shumë territor për qentë e një zone tjetër. Pra Tirana është qytet në zgjerim ndërkohë që qentë e ndodhur në zona periferike/ rurale janë në kërkim të ushqimit drejt qendrave. Rrjedhimisht çdo qen i vrarë zëvendësohet në pak kohë nga një qen tjetër. Por pse kjo nuk ndodh p.sh në rastin e një zgjidhje afatgjatë sikurse është sterilizimi- vaksinimi- rilëshimi. Qentë e rikthyer në rrugë parandalojnë ardhjen e qenve të rinj për shkak të sjelljes territoriale të tyre. Gjithashtu mesatarja e jetesës së kafshëve endacake është rreth 5 vjet.

 Por çështja e vrasjes së qenve endacakë ka dhe pasoja afatgjata: Fëmijët që rriten në ambiente ku ushtrohet dhunë/vrasje ndaj kafshëve ka të ngjarë që në të ardhmen të kthehen në dhunues të kafshëve dhe njerëzve sepse ata bëhen të pandjeshëm dhe e shohin dhunën si një gjë normale. Rrjedhimisht ata mësohen ta shprehin fuqinë dhe kontrollin e tyre duke abuzuar me qënie më të dobta.

Sot qarkullon edhe mendimi mbi prioritetet që që ngre pyetjen se: pse duhet të merremi me kafshët ndërkohë që kemi shumë probleme të tjera sociale. Duke qenë se kjo çështje ka të bëjë shumë edhe me statusin e dobët të kafshëve dhe qenve në veçanti në shoqërinë tonë është e vështirë të kuptohet lidhja e këtij problemi me dukuri të tjera sociale. Në fakt çështja e qenve endacakë është një pararendëse apo pasqyrë e shumë problemeve të tjera. Pandjeshmëria e shoqërisë ndaj zgjidhjes së duhur të kësaj çështjeje reflektohet po aq qartë edhe për papunësinë, për njerëzit me aftësi te kufizuar, për pensionistet dhe çdo njeri qe nuk ka mundësi te mbrohet apo është në vështirësi. Ndërlidhja e kësaj çështje me të drejtat e njeriut është mesë evidente. Kjo nuk do të thotë që të ketë detyrimisht trajtim të njëjtë ose që interesat e kafshëve kanë të njëjtën peshë apo vlerë sikurse interesat thelbësore të njeriut. Shumë interesa të kafshëve janë të ndryshme nga tonat!

Një pjesë e mirë e profesionistëve të mjekësisë si humane edhe veterinare shprehen mbi potencialin e rrezikut shëndetësor që shfaqin këto kafshë. Te jemi realist, askush nuk do të shoqërohej me një kafshë potencialisht të rrezikshme. E rëndësishme në të gjithë këtë sfidë është zbatimi i programeve afatgjata që nga eksperienca e vendeve të zhvilluara garantojnë shëndetin dhe mirëqenien e njeriut dhe të kafshëve njëkohësisht. Sikurse është përmendur, një prej zgjidhjeve që i përafrohet më shumë këtij koncepti është sterilizimi- vaksinimi (plus kurimi i mundshëm) dhe rilëshimi. Por si çdo proces tjetër duhet marrë në konsideratë që trajtimi do të jetë i qëndrueshëm. Është provuar se me sterilizimin e 70% të popullatës së qenve gjendja në një territor të dhënë stabilizohet. Sterilizimi i qenve ka edhe disa avantazhe të tjera sikurse ulja e nivelit të infeksioneve zoonotike, ruajtja e ekuilibrave mjedisore si dhe pakësimi i kafshimeve nga qentë. Nga ana tjetër shumë aktivistë përkujdesen po me aq pasion e vullnet për kurimin e kafshëve me gjendje patologjike.

Shqipëria është një vend me zhvillim të vrullshëm dhe pavarësisht sfidave, shpreh një aspiratë të veçantë për integrimin sa më të shpejtë në Bashkimin Evropian. Për të përmbushur kërkesat ligjore edhe për mbrojtjen e kafshëve, janë  hartuar dhe miratuar edhe legjislacioni përkatës i reflektuar pjesërisht në  legjislacionin veterinar: Ligji, Nr. 10 465, i vitit 2011-të, Për Shërbimin Veterinar në Republikën e Shqipërisë, i përafruar me direktivat BE-së. Ky ligj parashikon se autoriteti vendor (bashkia në rastin konkret) është e detyruar të mbajnë nën kontroll dhe të zbatojnë legjislacionin në fuqi për eliminimin e qenve dhe maceve të rrugës;  Ku Eliminimi i kafshëve kryhet në atë mënyrë që të mos shkaktojë dhimbje dhe vuajtje të panevojshme dhe lejohet vetëm në rastet për çrrënjosjen e sëmundjeve infektive/ zoonotike, kur njerëzit sulmohen nga një kafshë e tërbuar/ agresive, dhe gjatë gjuetisë.
Megjithëse legjislacioni që është mbi çdo individ dhe autoritet flet qartë për rastin konkret, ai nuk parashikon masa ndëshkuese në rastin e thyerjes së ligjit. Në këtë kuptim tubimet e shoqërisë civile për mbrojtjen e qenve endacakë ndjekin linjën ligjore dhe kërkojnë atë që parashikon ligji. Në të njëjtën kohë po ky grupim njerëzish ofron edhe ndihmë për përmirësimin e ligjit në aspektin e ndëshkueshmërisë.


Një dukuri risi për shoqërinë civile Shqiptare është edhe ngritja dhe pjesëmarrja aktive e shoqatave për mbrojtjen e kafshëve. Ky grupim aktiv edhe me hasjen e disa paragjykimeve që në fazën fillestare të lëvizjes u tregua tepër i vullnetshëm për mbajtjen e tubimeve paqësore çka është një vlerë e shtuar për shoqërinë civile Shqiptare. Ky sektor kaq i ndjeshëm i shoqërisë edhe pse shumë pak i mbështetur financiarisht tregon mbi potencialin që ka shoqëria jonë për të arritur shpejt përqasjet evropiane për shumë probleme sociale.

Së fundmi, matematicieni grek Pitagora shprehej se: Për aq kohe sa njeriu masakron kafshët, ata do të vrasin njeri-tjetrin. Në fakt, kush është dëshmitar i vrasjes dhe vuajtjes nuk mund të korrë gëzim dhe dashuri.





My Blogger Tricks

No comments:

Post a Comment