07 March 2014

Rruge pa kthim!

  Dërguar nga Gazeta Jeto Gjelbër 

Valbona Ylli Kryetare e
Sh. Kombetare te Blegtoreve Shqipetare. LEAA
 
Rrugëtimi nga Kukësi deri në fshatin Petkaj, kalon përmes kaq e kaq kthesash sa normalisht duhet të kisha atë ndjesinë e keqe të pështjellimeve në stomak, por shoqëria e këndëshme me bashkëudhëtaret i ka lënë pas të gjitha shqetësimet e mundëshme. Anila dhe Miranda janë vajza të zonës dhe natyrisht kanë se cfarë ndajnë me mua, herë herë edhe unë ndaj me to, diku dakortësohemi e diku jo, e gjithësesi bisedat e këndëshme na e kanë bërë kaq të shkurtër këtë rrugë. Diku, diku kemi rënë dakort se trajtimi i cështjeve gjinore është e nevojshme të fillojë me edukimin e fëmijëve në shkollë; se mjedisi dhe pyjet mund të jenë pjesë e curriculave shkollore; se ka një mentalitet që shpesh i ndrydh gratë në zonat rurale të shpalosin aftësitë e tyre sipërmarrëse; se sejcila prej nesh do të donte të kishte disa kilogram më pak mbi kurriz; se klima në këto zona është më e shëndetëshme e ajri më i pastër; se Tirana është e zhurmëshme, e bukur, e lodhshme, me jetë të gjallëruar, nuk ka mundësi parkimi; se filmi i mbrëmshëm në Top Chanel ishte shumë i bukur; se emisioni i të enjtes së fundit në Opinion kishte shumë vrer ndër të ftuarit; se të pakën në këtë zonën që kemi përshkruar pyjet janë ruajtur shumë mirë; se… se…, e kështu kemi aritur në qendër të Komunës Malzi. 


Petkaj është zona pilot e projektit ku jo vetëm ka ndodhur procesi i transferimit të pyjeve, por dhe rregjistrimi i tyre në pronësi të komunës. Gjithësesi vëmendja jonë sot është tek Nazifja dhe Hidija, dy nga përdorueset e pyllit që kanë thyer tabutë dhe kanë shprehur vullnetin e tyre për të nënshkruar kontratën e përdorueseve me komunën. E ky rast është për tu shënuar pasi ato janë dy përdorueset e para gra që nënshkruajnë kontrata të tilla për herë të parë në Shqipëri. Eshtë e dukshme se stafi i CNVP Kukës, Komuna, shoqata dhe zyra e rregjistrimit të pasurive të paluajtshme në rreth janë mirëkuptuar dhe kanë cuar gjërat përpara.  E ndaj, kur ka një dëshirë të mirë dhe mirëkuptim gjërat mund të jenë të realizueshme.

Pasi jemi njohur me procedurat zyrtare të rregjistrimit, kemi ndjerë në letër zonën ku do të lëvizim më tej – 1786b. Tashmë grupit tonë i është bashkuar edhe Hijdije Sejdija e Nazife Hasani që tek lëvizim më tej drejt pyjeve me gështenja në përdorm të tyre na tregojnë se gjendja e grave në këto zona rurale është më e pafavorshme, si rezultat i kufizimeve që ato kanë lidhur me pronësinë, munëdtë pë njohuri, zhvillim biznesi, tregtim, marketim, përdorimin e tokës për qëllime të zhvillimit të mëtejshëm të kapitalit, kufizime në momentet e vendim marrjes, etj. Vetëm falë projektit CNVP u bë e mundur që ato të ndërgejgjësohen mbi të drejtat e tyre të pronësisë e të përdorimit. Marrëdhëniet e gruas me tokën janë të lidhura me pronësisë mbi tokën apo zotërimin e titullit të pronësisë, kjo pasi është e lidhur drejt për së drejti me pozitën e gruas në familjen rurale dhe në komunitet, me përdorimin e burimeve natyrore, fuqizimin e tyre ekonomik si dhe pozicionin e tyre në vendim marrje në të gjitha nivelet.
E shohim problematikën më gjerësisht, cfarë prek jo vetëm grate në Petkaj, por kudo ku ato ndodhen në zonat rurale. 
Pavarësisht ndonjë progresi, përgjithësisht vihet ré një hendek midis të drejtave mbi tokën të ofurara me ligj dhe realitetit, sikurse dhe pa qartësi brenda vetë ligjit dhe akteve nën ligjore. Mjafton të përmendim këtu se legjislacioni Shqiptar njeh si të drejtat e pronësinë mbi tokën mbi baza familjare ashtu edhe atë mbi baza individuale. Kodi Civil p.sh. i kaluar nga Parlamenti Shqiptar në vitin 1994 dhe Ligji mbi Pronësinë Private Nr. 7512 i vitit 1991 njeh pronësinë private dhe individuale si dhe të drejtën e të gjithë qytetarëve për të zotëruar dhe trashëguar pronën. Pronësia familjare mbi tokën është përcaktuar mbi bazën e Ligjit të Tokës dhe Kodi Civil e klasifikon tokën bujqësore si një tokë në pronësi të familjes (Neni 222) dhe jo si pronë që mund të nën-ndahet më tej ndërmjet anëtarëve të familjes me përjashtim të kushteve specifike (Nenet 226–228). Pra, ndërkohë që disa nga ligjet garantojnë të drejta individuale pronësie të barabarta si për burrat ashtu dhe për gratë, bashkëshortin dhe bashkëshorten, djalin dhe vajzën, disa nga dispozitat e të njëjtave ligje kanë përcaktuar familjen dhe jo individin si zotërues të tokës bujqësore.  Kështu, edhe pse lgji lejon një ndarje të barabartë të pronësisë midis burrit dhe gruas, në shumicën e rasteve toka trashëgohet vetëm përmes linjës mashkullore të gjakut në familje dhe titujt e pronësisë po ashtu figurojnë në emër të tyre (meshkujve), me përjashtim të rasteve kur të vetmit trashëgimtar të familjes janë femra. Ndër më të rrezikuarat në këtë situatë janë veçanërisht gratë e veja apo ato të divorcuara.
Por, krahas efektit që ka tradita në këtë përqasje lidhur me pronësinë mbi tokën, ka edhe faktorë të tjerë ndikues të tillë si mungesa e njohurive mbi legjislacionin nga vetë gratë dhe tendenca e brendshme e tyre për të ndjekur zakonin, duke u bërë kështu në një farë mënyre prehë e dominancës ekonomike të meshkujve. E duke mos patur tituj pronësie, për pasojë gratë nuk kanë mundësi të marrin kredi, kanë pasiguri në investime, si dhe humbasin shanset e mbështetjes nga skema të mbështetjes financiare siç janë skemat e subvencionit.
Por, pikërisht rasti i sotëm në Petkaj shënon përpjekjet për ndryshimin e situatës me njohjen e së drejtës së bashkëpërdorimit apo rregjistrimit të gruas si përdoruese. Certifikatat e përdorimit në Petkaj i janë dhënë të dyve, burrit dhe gruas si bashkë përdorues.
Përmes strategjive dhe institucioneve të saj në fakt Qeveria Shqiptare po synon në regjistrimin e pasurive në çertifikatat e pronësisë dhe kartelave në emër të të dy bashkëshortëve në përputhje me nenin 41 paragrafi 2 të Ligjit 33/2012; hedhjen e të dhënave në sistemin e të dhënave elektronike të ZRPP në lidhje me gjininë në emër të cilit prona është regjistruar; dhe trajnimin e stafeve qëndrore dhe lokale te ZRPP për respektimin e barazisë gjinore në veprimtarinë e regjistrimit.

Ndërkohë kemi arritur në parcelën me gështenja dhe tashmë rrugën na e drejtojnë dy zonja. Se c’ka në hapin e tyre një siguri tek shkelin perms shtigjeve në thellësi të pyllit, siguri që i lexohet edhe në sy, edhe në mënyrën se si bisedën e shoqërojnë me lëvizje energjike të duarve. Kjo copëz pylli i ka bërë ato krenare dhe të vetëdijëshme se punojnë për vete, familjen dhe komunitetin. Kjo copëz pylli ndoshta ju ka shtuar dhimbjen në duar nga fruti gjëmbac i gështenjës, por përballimin e shoqërojnë me buzëqeshje. Eh, ka ende për të bërë, ato ëndërrojnë një dalje me volum më të madh në treg, e pse jo dhe të grupuar, ëndërrojnë ngritjen e emrit të zone perms produktit, pse jo të mos kenë dhe disa vegla pune të përshtatëshme, e pse jo dhe doreza për të mbrojtur duart prej nëne, pse jo të mos e përdorin gështenjën për gatime tradicionale, e pse jo të mos mësojnë nga fqinjët për përdorime të tjera të saj. Tek ecim nëpër pyllin me gështenja, dallon se dhe vetë fruti i tyre me atë ngjyrën e kaftë të pa përsëritshme sot se c’ka një buzëqeshje tek shpërthen nga lëvorja e carë, ka dicka në ajrin e këtij pylli po ashtu që të bën të mendosh se vullneti i njerëzve është një rrugë pa kthim. 
My Blogger Tricks

No comments:

Post a Comment