23 July 2014

Uji i pijshëm në zonën e Velipojës!

Nexhat Dula

Ekspert i promovimit shëndetësor-Gjakovë 
Sot, kur lexova artikullin me titull:  “S'ka leke per klor, uji i ndotur ne zonen e Velipojes!, vërtet u                  ndjeva keq, shumë keq, dhe thashë me vete: Kjo është e pafalshme, e papërgjegjshme, katastrofale,             dikush duhet të përgjigjet për këte. Përveç tjerash, ja edhe pse.  
Në qershor të këtij viti, me të arritur në Velipojë, vendin tim të preferuar për pushime, e duke e ditur që më parë se uji i pijshem këtu nuk është i sigurtë, fillova të blej ujë të pijshëm në market. Këtë e bëra jo vetëm nga përvoja paraprake, por edhe nga leximi i mëhershëm në “Mjedisi Sot” se kohë më parë punëtori i ujësjellësit të Velipojës kishte dhënë doreheqje nga puna në këtë ujësjellës, sepse nuk mund të duronte më të gënjejë se uji i ujësjellësit po klorizohej dhe ishte në rregull.  Një ditë, i zoti i shtëpisë ku banoja, më tha: “Pse bre po blen ujë e po shpenzon para, uji është i pijshëm” dhe në shenjë vërtetimi mori një shishe, e mbushi në çezme dhe e piu, duke dashur kështu të më bindte se uji është në rregull, e më tha: “ A mos po mendon se  uji që po e blen me bidonë është me i sigurt se ky”?. Ngela pa tekst dhe thashë me vete: “Janë në vete këta përgjegjës të komunës që lejojnë një gjendje të tillë të pasigurt, në një vend turistik ku frekuentojnë me djetëra mijëra njerëz gjatë një sezoni turistik?
               
Edhe WC-të publike të ndërtuara buzë shetitores në plazh, për shkak të mosmirëmbajtjes higjienike, janë të papërdorshme dhe kundërmojnë erë të keqe.Rrugët e Velipojës, në ditët që kishte rënë shi, ishin mbushur me ujë dhe duhej përvjelë për të kaluar nëpër to, ndërkohë që askujt nga komuna, me ditë të tëra nuk i shkonte mendja të bëjë diçka për lirimin e tyre.Ka edhe shumë gjëra që lënë për të dëshiruar që gjendja të jetë më e mirë, por për këto një herë tjetër.

Mendoj se faji për gjendjen e përshkruar është shumë strukturor, por përveç strukturave komunale, një pjesë e fajit i bie edhe Drejtorisë së Shëndetit Publik, sepse angazhimi i saj ka ngelur vetëm në konstatimin e gjendjes dhe dhënies së një apeli të thjeshtë, pa asnjë ndërmarrje konkrete për parandalimin e saj. Së pari reagimi i DSHP është tepër i vonuar, për shkak se tanimë këtë ujë e kanë pirë me dhjetëra mijëra pushues. Së dyti, DSHP duhej të reagonte më rreptë para fillimit të sezonit veror 2014, në të gjitha instancat relevante shtetërore që të mos fillojë sezoni “turistik” kështu. Së treti, nëse asgjë më tepër, kjo drejtori ka qenë dashur të vendosë dhe shpërndajë gjithandej Velipojës mbishkrime me informim se uji i ujesjellësit të Velipojës nuk është i pijshem dhe në këtë mënyrë t`i njoftojë pushuesit që mos ta pijnë këtë ujë te ndotur. Me mosbërje të kësaj detyre DSHP ka lejuar të rrezikohet shëndeti i mijëra pushuesve nga shumë sëmundje, sidomos nga grupi i infektimit të zorrëve. Nuk dihet se sa pushues kanë mundur të infektohen, sepse nuk ka as evidencë të mirëfilltë të të infektuarve, me që ilaçet merren në disa të ashtuquajtura “ordinanca” që gjithçka mund të jenë, por ordinanca të mirëfillta jo. Paradoksi është edhe më i madh kur dihet se në Velipojë nuk ka objekt të mirfilltë të ambulancës shtetërore me personel specialistik, hapësirë stacionari dhe pajisje përkatëse.

 Në fund, për të mos u dukur gjithçka zi, po përmendi disa gjëra të mira që janë bërë këtë vit në plazh, si kabinat për ndërrimin e rrobeve të plazhit dhe dushet. Sa i përket pastërtisë së plazhit, gjendja ishte më mirë se viteve të kaluara, por ka edhe shumë për t`u bërë që gjendja të jet e mirë. 



Duke u nisur nga ajo që u tha më sipër, mendoj se nevojitet një intervenim urgjent i organeve të qeverisë që gjendja higjieniko sanitare në plazhin e Velipojës të përmirësohet. Është mëkat që një perlë bregdetare me resurse natyrore të pashoqa, kështu të lëshohet dore.                                                                                          
My Blogger Tricks

No comments:

Post a Comment