16 June 2014

Kam frikë për Lurën

Ferdin Licaj

Lura me liqenet e saj ka zënë vënd në mëndjen dhe në shpirtin e çdo shqiptari të zakonshëm. Në fakt shumë pak  syresh e kanë parë ose vizituar ‘live’ këtë vënd magjepsës, përfshirë edhe  mua.  Dikur, kur ky mal i bukur u shpall park natyror kombëtar, Lurën e shikonim me ëndje dhe kënaqësi të veçantë nëpërmjet kartolinave që shkëmbenim gjatë periudhave të shëkmbimit të viteve; e shikonim gjithashtu në të vetmin ekran të TVSh-së i cili në ditë të caktuara të javës shfaqte foto të marra nga liqenet e Lurës. Edhe sot e kësaj dite në përfytyrimet e mia liqenet e Lurës janë një mit i vërtetë i bukurisë së larmishme të natyrës shqiptare...


Por çfarë ka ndodhur me lurën dhe me liqenet e saj vezullonjës?  Druaj të përgjigjem  sepse ndokush që mund ti lexojë lëta rreshta do të nxitojë të thotë: “ E dimë se ç’ka ndodhur, këtë deshe të na thoshje ti?”. ..  “- Ok, ok, nxitoj ti kundërpërgjigjem unë koktulit imagjinar, por të lutem më lejo ta shpreh unë, me fjalët e mia, sepse nuk besoj aspak që shumica e njerëzve të genit tim të dinë ç’ka ngjarë mirëfilli në shfarrosjen e pyjeve, në tharjen e liqeneve, në arratisjen e kafshëve e të zogjëve, në vdekjen e luleve e të insekteve dhe në shplarjen e tokave...në gjithçka që shkaktoi ‘hiroshima’ e tranzicionit të poshtër shqiptar në këtë tokë të bukur të atdheut tonë të përbashkët që quhet Shqipëri...




“Po mirë – vazhdon koktuli – e çë pastaj? - Do mbijnë prapë pyjet”... “- Dëgjo i dashur vëlla! – i drejtohem koktulit imagjinar plot neveri të shoqëruar me një buzëqeshje të verdhë – Dëgjo pak të lutem!... Koktuli zgudullon sytë duke përplasur qepallat si një trap klasik pastaj më ngul vështrimin e tij të stepur prej idioti.  “ Dëgjo vëlla! –i  them i sforcuar përsëri  - Ata pyje nuk mund të rimbijnë përsëri sepse pasi u prenë krejtësisht, nga shqipfolësit  e asaj periudhe u dogj gjithçka që ngeli në këmbë duke shpërndarë benzinë anë e mbanë malit dhe duke ndezur shkrepse gjithandej; pra  na ishte një herë një vënd  i bukur në të cilin vetë Zoti kishte qëndisur me dorën e Tij Supreme gjithçka që shihte syri i të vdekshmit njeri, një vënd plot stolira drurësh, lulesh, liqenesh, kafshësh të gjithfarëshme, zogjsh, insektesh, një vënd i cili quhej LURË... Koktuli rrotulloi sytë, fytyra e tij u vrazhdësua, tendosi dorën dhe e shtriu drejt meje si një tabelë polici dhe më thotë: “- Pse  po tani sipas teje nuk është më Lura?”...E kuptova që koktuli s’kuptonte gjë sepse si mijëra të ngjajshmit e tij ai nuk ishte në këtë dynja; për një sekondë më erdhi keq për të por pastaj përsëri më pushtoi neveritja karshi fytyrës së tij dhe medemek i them: “ Sot na është një vënd i djegur  i shkrumbosur, e i zhveshur ku syri nuk të sheh asnjë zog, në të cilin veshi nuk të dëgjon asnjë dihatje apo klithmë të ndonjë kafshe apo shpendi, ku toka ka humbur ngjyrën e blertë të tapetit barishtor dhe ka marrë atë të dheut të kuqërremtë mbushur plot rrëpira, ku liqenet janë kthyer në pellgaçe ujëmbajtëse; një vënd të cilin nuk e lidh asgjë me hiret e dikurshëm  magjiplote, pra na është një vënd i cili mban vetëm emrin Lurë por që vazhdon të qëndrojë në përfytyrimet imagjinare të atyre që e deshën me gjithë shpirt ndonëse nuk arritën asnjëherë ta vizitonin...


Një lajm i mirë por pak i besueshëm bëri ballë në rrjetin virtual të facebookut para pesë ditëve:  “Lura do të ri-pyllëzohet ashtu si ç’ka qënë dikur”, pra do të rikthehet në identitetin e mëparshëm. Këtë lajm e jep zëdhënësi i Ministrisë së Mjedisit, Pyjeve dhe Administrimit të Ujërave në Tiranë.

Ok, e lexoj me vëmëndje njoftimin zyrtar të MMPAU i cili theksonte se për këtë qëllim “ Janë vënë në dispozicion  një milionë Euro të cilat do të shërbejnë për pyllëzimin e treqind ha sipërfaqe të parkut kombëtar me llojet Arni, Hartinë dhe Pishë e Zezë.  Menjëherë në kokë më vërshojnë pyetjet: “Kush e ka bërë këtë projekt dhe si është e mundur që nuk është dhënë asnjë informacion publik paraprak për këtë qëllim?...Ok, sepse dihet tashmë çështja e tenderave te ne në përgjithësi dhe veçanërisht te MMPAU...por ajo që më frigon mua është dyshimi im në se ‘projekti misterioz’ i këtij institucioni  është bazuar ose jo në ndonjë studim paraprak mbi strukturën drunore të grumbujve pyjorë të parkut kombëtar të Lurës si dhe mbi skemat e përhapjes spontane të tyre  brënda  hapsirës së projektuar?...Në këtë park dihet historikisht cilët kanë qënë llojet mbizotërues dhe vëndin e parë e ka zënë arneni (Pinus peuce), pastaj hartina (Pinus sylvestris) dhe  në radhë të tretë pisha e zezë (Pinus nigra)... Po për llojet e tjerë fletorë që kanë marrë pjesë në grumbujt pyjorë të parkut a do të këtë hapsirë për tu pyllëzuar sipas skemave spontane të dikurshme?  Nga të dhënat që posedojmë për arkun le të citojmë panjën e malit (Acer pseudoplatanus), frashërin e zi (Fraxinus excelsior); blirin fletvogël (Tilia cordata); blirin fletgjërë (Tilia platyphyllois); ajdesin e alpeve (Laburnum alpinum); vadhjen e egër (Sorbus aucuparia) etj....Së fundi më lejoni të  bëj një pyetje retorike: “Kush do ta monitorojë ecurinë dhe zbatimin e përpiktë të projektit madhor që synon rimëkëmbjen e parkut të famshëm? “  Apo ndoshta  do të përflasim përsëri ashtu si ç’kemi përfolur edhe më parë për  afera korruptive edhe në këtë rast? ...Nuk e di por për Lurën kam frikë...
My Blogger Tricks

No comments:

Post a Comment