18 June 2014

Territori dhe themeli për ringjalljen e shtetit

Haki Kola/Specialist

Dhjetëvjeçarët e fundit, toka shqiptare e ka dhënë sinjalin SOS. Pylli është prerë e riprerë, djegur e ridjegur, kullotur e mbikullotur, derisa në shumë vende i është zbuluar shkëmbi. Rrafshinat, kodrat e ujëmbledhësit i ka mbuluar betoni. Ky realitet nuk është pranuar nga institucionet shtetërore. Pyllprerësit  njëvjeçarë sapo janë dekoruar, duke marrë mandate 10 vjeçare për prerje. Institucione të shtetit, me ekspertë e dijetarë të mjedisit, natyrës, pyllit, kullotës e librave, që nuk u tregojnë taksa paguesve të tyre se sa pjesë e vendit digjet, përmbytet, pritet, gërmohet e betonizohet, se sa pyll e tokë humbet, nga frika se i mbetet hatri padronit, duket se janë prodhuar e punësuar me bollëk. Ata flasin e bëjnë libra për ekosistemin e përbërësit e tij, por nuk tregojnë as për hallet e tokës e as për shërimin e saj. Toka është organizëm. Pjesët e saj, ashtu si gjymtyrët e organizmit tonë, janë të ndërlidhura me njëra - tjetrën. Komunitetet rurale kanë bërë rrugë të gjatë, si pjesë e këtij ekosistemi. Ata trashëgojnë, nga dijet e krijuara nga praktika jetësore e gjeneratave paraardhëse, njohuri mbi tokën ku organizojnë jetën, si në fermën bujqësore ashtu edhe kur i drejtohen krastës, djerrinës, ograjës, korijes, zabelit, hamallës apo prozhmes e kashnjetit, pyllit e kullotës. Këto dije shumë herë nuk pranohen nga ekspertët e institucioneve e nuk përdoren kur hartohen politika e ligje për raportet e komunitetit me tokën. Nëse skuadra që përgatitet të marrë nën menaxhim vendin, do e marrë në konsideratë thirrjen SOS të tokës, indikatori i parë duhet të ishte që të pranonte problematikën, të konsultohej me organizma ndërkombëtare e bashke me ta të ndërtonte një strategji kujdesimi për tokën tonë, asetin pothuaj përjetësisht të braktisur.



Ky do të ishte indikacion i fillimit të ndryshimit të institucioneve, si dhe të hapjes së rrugës për zgjidhje. Një etikë për tokën do te reflektohej më pas si sinjal që koshienca ekologjike e shtetit tonë po zgjohet dhe po e njeh dhe delegon te  komuniteti ku e ka vendin, kujdesin dhe përgjegjësinë për kurimin e mëmëdheut. Toka pyjore vlerësohet nga shkencëtarët si thesar biologjik e ekologjik dhe, njëkohësisht, si mister dhe enigmë, në të cilën shkenca deri tani ka zbuluar një fraksion gati të pakonsiderueshëm. Bakteret e kërpudhat,  që e popullojnë, të padukshme për syrin e njeriut, janë motori i tokës normale pyjore dhe i duhen tokës aq sa i duhet pyllit prania e drurëve për të mbajtur emrin pyll. Si trup i gjallë, ajo komunikon, jep e merr, shëndoshet e dobësohet, përjeton lindjen, sëmundjen, deri dhe vdekjen, në varësi të rrethanave të vendndodhjes  e  trajtimit  që  i nënshtrohet.    Shëndetësimi përbën pikërisht trajtimin apo regjimin që i duhet tokës sonë për të filluar ripërtëritjen apo rilindjen e shtresës së saj të sipërme, mbulesës së saj të gjallë e  pjellore, që është prerë,djegur e sakatosur barbarisht, veçanërisht 20 vitet që lidhin fund-fillimin e shekujve. Ajo nuk ka bimë, e ka humbur humusin, nuk e mban dot veten e as nuk i ruan dot nga mbushja rezervuarët e hidrocentraleve, rrugët, kanalet e tokën bujqësore të rrafshinës. Nga ushqyese e strehuese, ashtu siç është katandisur, në rrethana të ndryshme të motit shndërrohet në përmbytëse e kërcënuese. Edhe kjo na u desh në këtë rrënim ekonomik, po sa është kostoja e ringjalljes do pyesë dikush?


Askush nuk ka pse të trembet e ta heqë nga prioritetet e para. Nuk ka vend për panik. Toka është e bekuar. Ajo kontribuon edhe kur është në kurim. Punëson njerëzit. Rrit bimë. Strehon kafshë. Pastron e freskon ajrin. Shton ujin. Nëse bazohet në strategji e projekt  të  mençur,  puna  për kujdesim e kurim të tokës, nga banorët lokalë, konsiderohet si shërbim  global  mjedisor  dhe shpërblehet. Angazhimi dhe dhënia e kësaj përgjegjësie për të realizuar shërbime mjedisore kuruese, do të ishte sinjali i parë i shpresës se dashuria për token do të rilindë. Kjo duket si fjalë e çuditshme, nëse do u  referohej mediave të krye- qytetit apo mentalitetit sundues të administratës e burokracisë shtetërore. Qëndrimi pothuaj shekullor dëshmon që dashuria, respekti, admirimi për tokën e vlerat e saj, janë terma të panjohur. Ndoshta pengesa më serioze për të evoluar në etikën dhe respektin për tokën vjen nga fakti që sistemi ynë edukativ dhe  ekonomik  i deri- tanishëm është orientuar për nga largimi, mohimi i traditave shekullorë të popullit si “të prapa- mbetura”, orientim për braktisjen e  tokës  e  të  dashuruarit  me imazhin. Praktika e ruajtjes duhet gjetur e duhet marrë tek bindja se çfarë është e rregullt nga pikë- pamja estetike e etike dhe çfarë është   për   mbarë   nga   ana ekonomike. Një gjë është e rregullt, vetëm kur tenton të ruajë integritetin, stabilitetin dhe bukurinë e ekosistemit. Ekosistemi përfaqëson si tokën edhe ajrin, ujërat, faunën e florën, peizazhin, por edhe vetë komunitetin njerëzor. Vetëm kështu do të fillojmë të ndërgjegjësohemi:    ideja    e përdorimit të arsyeshëm human, është e pranueshme dhe shpërblehet, qoftë edhe vetëm për aq sa  nuk  u  shkatërron  kushtet jetësore  banoreve apo organizmave të tjera të tokës.


E përkthyer në gjuhën e teorisë së ekonomisë, vete ekosistemi me përbërësit e tij mund të përshkruhen si kapital, i cili sjell një pako të shërbimeve për komunitetin e familjet përbërëse, disa prej të cilave janë të ndara dhe të  inkorporuara  në  produkte, grumbulluar dhe / ose të konsumuara. Shërbime të tjera publike janë mallrat apo shërbime që japin përfitim të përbashkët në mjedisin e përmirësuar dhe mirëqenien e komunitetit. Të gjitha së bashku, këto shërbime mjedisore varen nga aftësitë ripërtëritëse aktuale të kapitalit të ekosistemit, rezultateve qe arrihen në shtimin e këtij kapitali, në raport me konsumin e shërbimeve të ekosistemit. Partnerët tanë ndërkombëtarë, si  Banka  Botërore, Agjencia Suedeze për Zhvillim Ndërkombëtar, po e asistojnë Shqipërinë në identifikimin dhe zbatimin e një projekti,  i  cili  do  të  bazohet pikërisht në pagesat për shërbime mjedisore, apo thënë me fjalë të tjera, për të krijuar modelin se si duhen organizuar e mbështetur kujdestarët e ngjalljes së tokës e të mbulesës së saj. Suksesi i këtij projekti  tepër  strategjik  për ringjalljen e tokës, varet së tepërmi se si do të ndërtohet kuadri politik e ligjor për të drejtat që do kenë komunitet për tokat. Harmonizimi i politikave mbështetëse, si dhe definimi i saktë i të drejtave e detyrimeve të përdorimit apo të pronësisë, janë guri i themelit.


Çdo progres e sukses i mundëson projektit shtrirjen e mëtejshme territoriale,  shtimin  e  pjesë- marrësve  (punësim) dhe kontribuesve në këtë projekt. Suksesi mundëson shtim të kontributit të donatoreve ndërkombëtarë, të cilët janë në ethet e gjetjes së një modeli të trajtimit të  ekosistemit,  për  të përballuar  sfidat  e  afërta  të ndryshimeve klimatike. Relievi, raportet fushë - kodër - mal dhe statusi aktual i tokës e veshjes së saj, si dhe potencialit për ndryshim shumë të shpejtë në Shqipëri, përbëjnë  një  shans  të  papërsëritshëm demonstrimi. Shqipëria mund te paguhet për kontribut për ruajtje  të  tokës,  detit,  ujit, kontribut në pakësim të gazit karbonik në natyrë  e  shtim të biodiversitetit. Demonstrimi i suksesit i hap rrugë shtimit të ekoturizimit. Përfaqësues   të skuadrës në pritje për menaxhim të  shtetit  shqiptar,  mund  të organizojnë diskutime paraprake për këtë projekt, që është në zhvillim. Kjo i mundëson kësaj skuadre  të  shpresës,  që  këtë problem shumë të madh kombëtar, ta kthejë nga problem në zgjidhje, në  një  burim  punësimi  e  të ardhurash, që vijnë nga ringjallja e tokës shqiptare.


My Blogger Tricks

No comments:

Post a Comment