30 May 2014

“Blinaja” Ekosistemi i bashkejetesës së florës e faunës, rezervati më i madh shqiptar i gjahut

Kemajl Kadriu, ing.dip.Shef Divizioni për Infrastrukturë pyjore
Departamenti i Pylltarisë në MBPZHR


E vendosur mbi një reliev të valëzuar me kodrina e lugina përrallore, një sipërfaqe prej më se 2000 hektarë, Blinaja përbën një “ishull” ku lulëzon jeta e harmonia midis kafshëve të gjahut e drurëve më karakteristik të hapësirës shqiptare. Ata që dëshirojnë të shohin çfarë kanë ëndërruar për kaprollin, drerin e derrin e egër do i shohin në jetën e tyre të përditshme në njësinë e menaxhimit të Blinaja-s, në zemër të Kosovës. Kjo njësi menaxhimi shtrihet në pjesën perëndimore të ultësirës së Kosovës, në jug-perëndim të Prishtinës në largësi prej 32 km dhe ngrihet në lartësitë 600 – 850 m mbi nivelin e detit, në një rajon kodrinor të vendgjuetive. Sipas destinimit, është zonë gjuetie me rëndësi të veçantë,  e themeluar në vitin 1955 me vendim të organeve përgjegjëse të ish KSAK –së dhe rithemeluar  në shkurt të vitit 2009 me Vendim të Ministrit të MBPZHR-së.

Nga viti 1936 ekzistojnë dokumentet e para të planifikimit për këtë njësi menaxhimi. Në vitin 1956 është hartuar plani afatgjatë i menaxhimit për 10 vjet për pyjet dhe faunën e egër, për të vazhduar në  vitin 1974 me plane menaxhimi dhe hartimin e një dokumenti  “Studimi i zhvillimit dhe programi kompleks i menaxhimit me pyje”.  Gjithashtu ekzistojnë planet  e menaxhimt të hartuara për periudhat e viteve: 1986-1996, 1996-2006 dhe plani i menaxhimit të kafshëve të egra 2008-2018. Emërtimi i saj është realizuar në bazë të pjesëmarrjes të shtrirjes të llojit të drurit Bliri ( Tilia ssp.).
Bota e gjallë bimore e kësaj njësie menaxhimi përfaqësohet nga një numër i madh llojesh autoktone, si dhe nga fauna e egër. Vegjetacioni është i begatshëm dhe i llojllojshëm si rezultat i proçeseve historike evolutive dhe kushteve mjaft të përshtatshme gjeografike, orografike, klimatike, gjeologjike dhe pedologjike.



Karakterizohet me një terren të brezit kodrinor me thyerje mesatare dhe pa pjerrësi të theksuara. Hidrografia përbëhet nga prroska të vogla që gjatë verës thahen tërësisht. Janë të ndërtuara 30 penda ujëmbledhëse me qëllim të furnizimit me ujë gjatë gjithë kohës.
Kjo njësi menaxhuese ka një bazë strukturale që përbëhet nga shkëmbinj gëlqeror dhe serpentinave të strukturave të ndryshme. Bazën gjeologjike e përbejnë shkëmbinj që janë pjesë e silikateve acidike si; mikashisti, kuarcit, amfiboliti, muskoviti etj.

Njësia e menaxhimit “Blinaja” përfshihet nga klima kontinentale që në lartësitë larta mbidetare karakterizohet me vlera të theksuara të temperaturave ekstreme të ndikuara nga thyerja e terrenit dhe elementëve të klimës kontinentale. Temparatura mesatare  muajit më të thatë në korrik është 20.3 gradë celsius ndërsa e muajit më të ftohtë në janar -1.4 gradë celsius. Temperatura mesatare vjetore është 10.2 gradë celsius. Sasia e të reshurave është 600-900 mm/vit të cilat kryesisht bien gjatë shtënës së dimrit.

Njësia menaxhuese Blinaja kryesisht shtrihet në toka të kafenjta mesatarisht të thella mbi substrat gur – grill  duke mos përjashtuar prezencën e tipave të tjera të tokave si; tanker të hirta kafe, tanker të tipit mbi gurë, redzinë tipike mbi substrat gëlqeror, të kuqërremtë kafe etj.

Sipas planit të menaxhimit të  hartuar gjatë vitit 2013 janë nxjerrë të dhëna si më poshtë:
-          Sipërfaqja  e përgjithshme  ..................................................................................................... 2172 ha
-          Sipërfaqja pyjore ...................................................................................................................... 2027 ha
-          Vëllimi në këmbë ................................................................................................................ 332325 m3
-          Rritja vjetore.............................................................................................................................. 9737 m3
-          Vëllimi i rekomanduar i prerjes ............................................................................................ 2950 m3

Pjesa dërrmuese e sipërfaqes pyjore  (mbi 90%) janë pyje cungishte, ndërsa pjesa e mbetur e sipërfaqes janë pyje të lartë, livadhe, kullota, sipërfaqe ujore etj.
Pjesëmarrja e llojeve ne vëllimin e përgjithshëm në nivel të njësisë menaxhuese dominohet kryesisht nga dushqet, ku qarri ka pjesëmarrjen më të madhe 49%, bunga 33% e më pak shparthi me 6%, po ashtu lloje të tjera fletorësh si ahu, bliri etj. zënë rreth 11% dhe pjesën e mbetur e zë pisha e zezë. 

Kjo njësi menaxhimi ka një shpërndarje homogjene të klasave menaxhuese/KM, ku dominojnë kryesisht klasa menaxhuese të pyjeve të ulëta cungishte 4000 në afro 84% të sipërfaqes së përgjithshme të cilat janë të moshës së re. Pyjet e larta KM 1000 dhe 2000 nuk janë fare të përfaqësuara, ndërsa kulturat pyjore përfaqësohen 87.2 ha apo 3.2 %,  kurse shkurret KM 5000 janë prezentë në afro 22 % të sipërfaqes.
Në aspektin e rritjes vjetore, pjesën më të madhe e kanë pyjet cungishte të dominuara nga dushqet, të cilat zënë rreth 90% të rritjes totale vjetore (9033 m3/vit), kjo si rezultat edhe i pjesës dërrmuese të sipërfaqes që ato zënë.
Për periudhën 10 vjeçare sasia e prerjeve të planifikuara është 29,507 m3 vëllim drusor, kryesisht si dru zjarri dhe me sasi të vogël të drurit teknik të imët. Kjo sasi e prerjeve të planifikuara përfshin vlerën e 30% të rritjes vjetore, e cila paraqet vlerën minimale të prerjeve të nevojshme për menaxhim të qëndrueshëm të pyjeve me destinim të veçantë siç është rasti në Njësinë Menaxhuese të “ Blinajës”.

Raporti i trajtimeve të propozuara
Tipi i trajtimeve
Sip. e n/ngastrave ha
Sip. per trajtim
ha
Konversion
51.5
24.5
Pastrime/ Çlirime
14.2
9.1
Rrallime
1106.9
537.2
Prerje regjenerues njëmoshore
185.3
107.5
Prerje regjenerues shumëmoshare
22.1
8.9
Prerje sanitare
55.7
28.5
Total sipërfaqe për n/ngastra
1435.7
716

Në këtë njësi menaxhuese dominojnë trajtimet me rrallime të një sipërfaqe të përgjithshme 1106.9 ha ndërsa sipërfaqja e ngastrave që kërkohet ndërhyrje  me masa të ndryshme është rreth 1435.7 ha. Duke pasur parasysh urgjencën e trajtimit të sipërfaqes të n/ngastrave të planifikuara për trajtim, ekzistojnë 66 n/ngastra që kërkojnë trajtime urgjente në një sipërfaqe deri 716 ha, nga këto 537 ha rrallime dhe 107.5 ha prerje regjeneruese njëmoshore. Deri tek këto rezultate është arritur sipas propozimit dhe planifikimeve të rekomanduara nga grupet e inventarizimit në terren.
Duke u mbështetur në pozicionin gjeografik, kushteve gjeologjike, pedologjike, hidrologjike dhe karakteristikave të relievit dhe të klimës, Blinaja ofron kushte mjaft të përshtatshme për kultivimin e botës së egër shtazore, kryesisht të gjitarëve që kanë rëndësi të madhe për gjueti rekreative.



Llojet më prezentativë që kultivohen në njësinë menaxhuese të Blinaja-s, janë kaprolli (Capreolus capreolu)s, derri i egër (Sus strofa), dreri bri lopatë (Dama dama), derri i rëndomtë (Cervus elaphus). Përveç llojeve të kultivuara në këtë njësi menaxhimi mund të hasim lloje karnivore si ujku (Canis lupus), dhelpra (Canis vulpes), vjedulla (Meles meles), macja e egër (Felis silvestris), shpendët si shqiponja perandorake (Aquilla heliaca), shqiponja e maleve (Aquilla chrysaetos), thëllëza e gurëve (Alectoris graeca), petriti i pulave (Açepiter gentilis), etj.  Brenda vitit, gjatë stinëve të ndryshme, kohë pas kohe ndalojnë edhe shumë shpezë të tjera shtegtare. 



Kushtet natyrore mundësojnë kultivimin e kafshëve dhe shpezëve të egra për gjueti, që e bëjnë këtë njësi menaxhimi një lokacion të mirë për gjueti rekreative. Blinaja përfaqëson një lloj të mbyllur të vendgjuetisë, çka do thotë se nuk ka lëvizje të lirë të faunës së kultivuar dhe grabitqarëve natyror. Mungesa e grabitqarëve e bën gjuetinë si mjetin kryesor për të kontrolluar numrin e kafshëve apo ruajtjen e  ekuilibrit biologjik, duke mos lejuar shtimin e numrit të madh të kafshëve mbi ekuilibrin biologjik dhe mbi kushtet apo mundësitë premtuese për ushqim dhe me këtë ruajtjen e këtij ekosistemi.



My Blogger Tricks

No comments:

Post a Comment